Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka arsyetuar tarifat që KESCO aplikon për shkyçjen dhe tarifën për rikyçjen e konsumatorëve për shkak të mospagesës së faturave e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator të këtij viti, duke theksuar se ato pasqyrojnë koston që i shkaktohet kompanisë për kryerjen e këtyre shërbimeve.
Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, ZRRE ka bërë të ditur se tarifat janë të përcaktuara në Rregullën për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve në Sektorin e Energjisë, të miratuar nga Bordi i ZRRE-së në mars të vitit 2017.
Sipas rregullatorit, tarifa bazë e shërbimit për shkyçjen e konsumatorëve shtëpiakë është 15 euro, ndërsa 15 euro është edhe tarifa për rikyçje. Ndërkohë, për konsumatorët komercialë, tarifa është 30 euro për secilin shërbim.
ZRRE sqaron se këto tarifa nuk përfshihen në tarifat e rregullta të energjisë elektrike, pasi kanë për qëllim të mbulojnë kostot operative të kompanisë për realizimin e shkyçjes dhe rikyçjes.
“Lidhur me arsyeshmërinë e këtyre taksave, ju informojmë se këto taksa reflektojnë koston që i shkaktohet operatorit për kryerjen e këtyre dy shërbimeve, të cilat nuk përfshihen në kostot e rregullta për llogaritjen e tarifave sipas strukturës tarifore përkatëse”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Konsumatorët që shkyçen për shkak të mospagesës së faturave do të paguajnë edhe tarifën e rikyçjes, ndërsa shuma që pritet të faturohet për secilin shërbim është 17.70 euro.
Ndërkohë, në përgjigjen e saj, ZRRE i referohet tarifës bazë prej 15 eurosh, e cila është e përcaktuar në rregulloren në fuqi. Diferenca prej 2.70 euro lidhet me aplikimin e TVSH-së, çka e çon vlerën e pagesës në 17.70 euro për secilin shërbim.
Kjo do të thotë se, duke filluar nga 1 shtatori, konsumatorët që nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike brenda afatit dhe shkyçen nga rrjeti do të ngarkohen me një kosto prej 35.40 euro për shkyçje dhe rikyçje, përveç detyrimit për të shlyer borxhin e papaguar.
Rregullatori rikujton se ndërmarrja e energjisë mund ta shkyçë një konsumator vetëm pasi të ketë kaluar afati ligjor i pagesës dhe pasi konsumatori të jetë njoftuar paraprakisht me një paralajmërim për shkyçje, ndërsa shkyçja për mospagesë duhet të zbatohet vetëm si masë e fundit, në përputhje me rregullat në fuqi.
Ndërsa është e rëndësishme të theksohet se një konsumator mund të shkyçet edhe nëse ka paguar faturën e fundit, por ka borxh të akumuluar paraprak. /Buletini Ekonomik



