Konsumatorët që shkyçen nga rrjeti për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike do të përballen me një kosto shtesë nga 1 shtatori, pasi përveç tarifës së shkyçjes do të paguajnë edhe tarifën e rikyçjes.
Edhe pse në njoftimin e publikuar dje nga KESCO nuk është bërë e ditur vlera e kësaj tarife, Buletini Ekonomik mëson se tarifa e rikyçjes do të jetë 17.70 euro, pra e njëjtë me tarifën e shkyçjes që tashmë është në fuqi.
Kjo do të thotë se një konsumator i shkyçur për shkak të mospagesës së detyrimeve financiare do të duhet të paguajë 17.70 euro për shkyçjen dhe 17.70 euro për rikyçjen, ose 35.40 euro gjithsej, përveç shlyerjes së borxhit total të energjisë elektrike.
KESCO njoftoi dje (të hënën) se ka pranuar njoftim zyrtar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për fillimin e zbatimit të tarifës së rikyçjes nga 1 shtatori 2026, në përputhje me rregullativën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Megjithatë, kompania nuk specifikoi shumën që do të paguhet për këtë shërbim.
Në njoftimin e saj, KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i paguajnë faturat brenda afateve, në mënyrë që të shmangin procedurat e shkyçjes dhe kostot shtesë që lidhen me shkyçjen dhe rikyçjen e furnizimit me energji elektrike. /Buletini Ekonomik



