Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka diskutuar me shefin e ri të Njësisë Ekonomike të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Patrick Gan, për zhvillimet në sektorin e energjisë dhe bllokimin e vazhdueshëm të kapaciteteve ndërkufitare të interkoneksioneve të Kosovës nga Serbia.
Në takimin njohës, me rastin e fillimit të misionit të tij në Kosovë, Rizvanolli e njoftoi Gan me prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë për forcimin e sigurisë energjetike, si dhe me sfidat me të cilat përballet sektori.
Sipas ministres, Serbia vazhdon të bllokojë përdorimin e kapaciteteve ndërkufitare të linjave interkonektive të Kosovës, pavarësisht vendimit të Komunitetit të Energjisë dhe përmbushjes së obligimeve nga Kosova dhe KOSTT-i, përcjell Energy Monitor.
Rizvanolli tha se kjo situatë “cenon sigurinë energjetike të Republikës së Kosovës”, duke theksuar nevojën për trajtimin e çështjes dhe zbatimin e obligimeve të Serbisë.
Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i, sipas saj, po bashkëpunojnë me Komunitetin e Energjisë, Bashkimin Evropian, ENTSO-E-në dhe palë të tjera ndërkombëtare për të rritur presionin ndaj Serbisë dhe për të siguruar zbatimin e plotë të vendimeve.
Çështja e tregtisë dhe interkoneksioneve Kosovë–Serbi vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore të integrimit të Kosovës në tregun rajonal të energjisë, duke ndikuar edhe në kostot e transmetimit dhe mundësitë për shkëmbimin e energjisë.



