Shqipëria po shton projekte të reja fotovoltaike në sistemin energjetik, me 120 MW kapacitet të planifikuar në dy centrale që do të zhvillohen në Savër të Lushnjës dhe në Devoll.
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) ka vendosur të nisë procedurat për licencimin e dy impianteve fotovoltaike, duke i hapur rrugë një faze tjetër të zhvillimit të projekteve që tashmë kanë marrë miratimin e Këshillit të Ministrave.
Projekti më i madh është centrali fotovoltaik prej 70 MW në Savër të Lushnjës, në Qarkun Fier. Për këtë projekt, Këshilli i Ministrave ka dhënë miratimin në maj të këtij viti, ndërsa ndërtimi dhe vënia në operim parashihen brenda një afati prej 36 muajsh, përcjell Energy Monitor.
Në Devoll, pranë fshatit Vërnik në Njësinë Administrative Qendër Bilisht, planifikohet ndërtimi i një impianti tjetër me kapacitet 50 MW. Miratimi për këtë projekt është dhënë nga Qeveria në mars 2026.
Të dy projektet janë investime private, nuk janë koncesionare dhe nuk do të përfitojnë nga skemat mbështetëse për prodhimin e energjisë elektrike. Energjia e prodhuar pritet të shitet në treg.
Vendimi i ERE-s nuk nënkupton se 120 MW janë tashmë në prodhim. Projektet duhet të përfundojnë procedurat e licencimit, të sigurojnë lejet përkatëse, të ndërtohen dhe të realizojnë lidhjen me sistemin elektroenergjetik përpara se të nisin prodhimin.
Savra është tashmë një nga zonat ku po përqendrohen investimet e reja diellore në Shqipëri. Në maj, Energy Monitor raportoi për miratimin e tre centraleve të reja fotovoltaike me gjithsej 174 MW, përfshirë projektin 70 MW në Savër.
Zhvillimi i këtyre projekteve është pjesë e zgjerimit të shpejtë të kapaciteteve diellore në Shqipëri. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, Këshilli i Ministrave kishte miratuar të paktën 12 projekte të reja fotovoltaike me një kapacitet të kombinuar prej 811.5 MW, të shpërndara në disa qarqe të vendit, përfshirë Fierin dhe Devollin.
Fieri në veçanti është shndërruar në një nga qendrat kryesore të zhvillimit të energjisë diellore në Shqipëri, ndërsa rritja e shpejtë e kapaciteteve po e bën gjithnjë më të rëndësishme forcimin e rrjetit dhe kapaciteteve të magazinimit të energjisë.
/Energy Monitor



