Home / Lajme / Tjera / Punonjësi i KEK-ut humb jetën në aksident në mihje, kishte mbi 40 vjet në Korporatë

Punonjësi i KEK-ut humb jetën në aksident në mihje, kishte mbi 40 vjet në Korporatë

Një punonjës i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës, në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit. I ndjeri është Haxhi (Selatin) Gojnovci, 59 vjeç, i cili kishte punuar në KEK për më shumë se katër dekada.

Sipas KEK-ut, aksidenti ka ndodhur më 16 gusht, rreth orës 20:30, në zonën e ekskavatorit, gjatë kryerjes së detyrave të punës. Sindikata e Re e KEK-ut bëri të ditur se aksidenti ndodhi gjatë punës në ekskavatorin rotorik në Qymyr.

Gojnovci ishte i sistemuar në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit. Ai ishte pjesë e KEK-ut që nga 15 nëntori 1985.

Për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila vlerësoi kontributin e Gojnovcit për më shumë se katër dekada në KEK dhe sektorin energjetik.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com