India ka kundërshtuar ato që i ka quajtur taktika presioni të Bashkimit Evropian kundër saj për sa I përket importimit dhe rafinimit të naftës ruse, duke argumentuar se i jep përparësi sigurisë së vet energjetike.
Kur u pyet nga mediat në një konferencë për shtyp të mërkurën në lidhje me paketën e 18-të të sanksioneve të Brukselit kundër Moskës, e cila synonte drejtpërdrejt një rafineri indiane, ministri i Jashtëm Vikram Misri tha se bllok evropian duhet të ketë një perceptim të qartë të gjendjes botërore të energjisë, shkruan RT.
“Ne kemi qenë të qartë se, për sa i përket sigurisë energjetike, përparësia më e lartë e qeverisë së Indisë është të ofrojë siguri energjetike për popullin e Indisë dhe ne do bëjmë atë që duhet të bëjmë në lidhje me këtë,” deklaroi Misri.
“Edhe për çështjet që lidhen me energjinë, siç e kemi thënë më parë, është e rëndësishme të mos kemi standarde të dyfishta dhe të kemi një perceptim të qartë se cila është situata globale për sa i përket tregut më të gjerë të energjisë dhe ku ndodhen furnizuesit e mallrave të energjisë dhe nga do të vijnë ato dhe kush ka nevojë për energji në cilën pikë të kohës”, shtoi ai.
Më herët të mërkurën, Reuters raportoi se dy cisterna nuk kishin ngarkuar karburant nga rafineria indiane e goditur nga sanksionet sipas planit.
“Ne e kuptojmë se ekziston një çështje e rëndësishme dhe serioze sigurie me të cilën po përballet Evropa, por edhe pjesa tjetër e botës është këtu“, tha Misri.
“Ajo po merret gjithashtu me çështje që janë ekzistenciale për pjesën tjetër të botës, dhe mendoj se është e rëndësishme të ruhet ekuilibri dhe perspektiva kur flitet për këto çështje.”
Moska është shfaqur si furnizuesi kryesor i naftës i Indisë që nga sulmi ndaj Ukrainës në shkurt 2022, duke përbërë gati 40% të importeve të naftës bruto të Indisë. Nju Delhi, paralelisht, është bërë një eksportues i madh i karburanteve të rafinuara në Evropë që nga viti 2023.