Përfaqësimi historikisht i ulët i grave në sektorin energjetik po kufizon potencialin e fuqisë punëtore që Kosovës i nevojitet për tranzicionin energjetik.
Analizë nga: Shqipe Neziri Vela
Tranzicioni energjetik i Kosovës zakonisht diskutohet përmes gjuhës së megavatëve, reduktimit të emetimeve dhe investimeve në infrastrukturë. Debati me të drejtë fokusohet në zëvendësimin e kapaciteteve të vjetëruara, të bazuara në qymyr, zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë së ripërtëritshme, modernizimin e rrjetit elektrik dhe integrimin me tregjet evropiane të energjisë. Këto janë prioritete thelbësore. Por, shpesh e anashkalojmë një pyetje themelore: kush do ta ndërtojë dhe udhëheqë sistemin energjetik të së ardhmes në Kosovë?
Përderisa flasim vetëm për politika dhe teknologji, debati për fuqinë punëtore është i mangët.
Kosova po hyn në një nga transformimet më të rëndësishme ekonomike që nga shpallja e Pavarësisë më 2008. Vendi nuk po ndryshon vetëm mënyrën se si prodhon dhe konsumon energjinë elektrike, fuqia punëtore si dhe institucionet po riformësohen po ashtu. Në këtë periudhë, energjia e ripërtëritshme, digjitalizimi dhe sistemet moderne të energjisë elektrike kanë nevojë për inxhinierë, teknikë, menaxherë projektesh, sipërmarrës dhe politikëbërës me ekspertizë të re. Megjithatë, gratë, të cilat përbëjnë gjysmën e popullsisë së Kosovës, mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara në shumë prej këtyre profesioneve, veçanërisht në profesionet teknike, inxhinieri, menaxhim dhe pozita udhëheqëse.

Megjithatë, Kosova nuk mund ta ndërtojë sistemin energjetik të së ardhmes vetëm me një pjesë të fuqisë punëtore që ka në dispozicion. Politikëbërësit në Kosovë tashmë e kanë njohur këtë sfidë. Strategjia e Energjisë 2022–2031 konfirmon se tranzicioni kërkon aftësi të reja dhe përcakton qartë objektivin për rritjen e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë në 25 për qind deri në vitin 2031. Ky është një zotim i rëndësishëm politik. Për një sektor, që historikisht është mbizotëruar nga burrat, përfshirja e grave si pjesë e së ardhmes energjetike të Kosovës përbën një përparim të rëndësishëm. Sfida tani është që ky zotim të shndërrohet në rezultate të matshme.
Kosova ka ambicie, por a e di se ku qëndron?
Sfida e parë, me të cilën përballet Kosova, nuk është vetëm rritja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë. Është krijimi i një kuptimi të qartë se ku ndodhet vendi sot. Aktualisht, Kosovës i mungon një bazë gjithëpërfshirëse, publike dhe e përditësuar rregullisht e të dhënave të ndara sipas gjinisë, e cila mbulon të gjithë sektorin energjetik. Si pasojë, politikëbërësit nuk kanë një pasqyrë të plotë të pjesëmarrjes së grave në të gjithë ekosistemin energjetik, duke përfshirë institucionet publike, kompanitë private, organizatat joqeveritare, organizatat ndërkombëtare dhe Akademinë.
Dëshmitë ekzistuese tashmë tregojnë një hendek të konsiderueshëm në fuqinë punëtore. Në vitin 2017, të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore, të kryer nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), tregojnë se gratë përbënin vetëm rreth 7 për qind të punësimit në sektorin bazë të energjisë në Kosovë, me vetëm 678 gra nga gjithsej 10 104 të punësuar. Kjo përfshin punësimin në furnizimin me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, si në ndërmarrjet publike ashtu edhe në operatorët privatë.
Në vitin 2021, Agjencia e Statistikave të Kosovës në Anketën e Fuqisë Punëtoreraportoi se gratë përbënin 9% të të punësuarve në sektorin e energjisë, një shifër që përdoret gjithashtu si bazë në Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2022–2031. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë përfshin kjo shifër, duke përfshirë se cilat institucione, aktivitete ekonomike ose kategori të punësimit janë përfshirë në llogaritje. Për këtë arsye, është e vështirë të përcaktohet nëse kjo bazë pasqyron të gjithë ekosistemin energjetik, apo vetëm pjesë të përzgjedhura të tij. Pa një bazë të qartë, të qëndrueshme dhe transparente, matja e progresit drejt objektivit të Strategjisë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në 25 për qind deri në vitin 2031 bëhet e vështirë.
Pavarësisht nëse pika fillestare është 7 apo 9 për qind, përfundimi është i njëjtë: gratë mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara pikërisht në kohën kur Kosovës i duhet të zgjerojë bazën e profesionistëve të kualifikuar për një sistem energjetik në ndryshim. Kjo bëhet edhe më e qartë kur shikohen institucionet kryesore energjetike të vendit.
Tabela 1. Përfaqësimi gjinor në institucionet e përzgjedhura energjetike (2026)
| Institucioni | Gjithsej të punësuar | Gra të punësuara | Gratë si % e fuqisë punëtore |
| Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) | 3,966 | 217 | 5.5% |
| Operatori i Sistemit, i Transmisionit dhe i Tregut (KOSTT) | 371 | 66 | 18% |
| KEDS | 1,913 | 249 | 13% |
| KESCO | 239 | 138 | 58% |
| Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) | 23 | 9 | 39% |
| Ministria e Ekonomisë – Departamenti për Energji | 16 | 10 | 63% |
Burimi: Të dhëna të ofruara drejtpërdrejt nga institucionet përkatëse.
Të dhënat tregojnë dallime të rëndësishme ndërmjet institucioneve energjetike të Kosovës: gratë mbeten më pak të përfaqësuara në pjesët operative dhe teknike të sistemit energjetik, veçanërisht në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Kjo është më e dukshme në Korporatën Energjetike të Kosovës(KEK), punëdhënësin më të madh në sektorin energjetik të vendit, ku gratë përbëjnë vetëm 5.5% të fuqisë punëtore. Sipas KEK-ut, përgjegjës për menaxhimin e prodhimit të qymyrit në vend, proceset operative, veçanërisht në miniera dhe termocentrale, zhvillohen në kushte të vështira pune, gjë që historikisht i ka bërë këto vende pune më pak tërheqëse për gratë. Megjithatë, KEK-u konsideron se gratë luajnë një rol të rëndësishëm profesional dhe institucional brenda kompanisë, me përfaqësim në pozita udhëheqëse dhe profesionale, përfshirë drejtoresha, menaxhere, inxhiniere dhe laborante të kimisë. Bordi i KEK-ut përbëhet nga 4 anëtarë, ku dy janë femra.
Ngjashëm, në KEDS, kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në sektor, gratë përbëjnë vetëm 13 për qind të të punësuarve. Ndërsa, gjysma e Bordit të KEDS-it përbëhet nga gratë.Kompania ka ndërmarrë angazhime për avancimin e rolit të grave, përfshirë zbatimin e parimeve të Kombeve të Bashkuara për fuqizimin e grave në vendin e punës dhe në komunitet. Ndërkohë, KESCO së fundmi ka emëruar zëvendësdrejtoreshën e parë ekzekutive grua, duke përfaqësuar pozitën më të lartë që mbahet nga një grua në njërën ndër kompanitë më të mëdha të vendit.
Përfaqësimi i grave në pozita udhëheqëse është më i dukshëm në institucionet publike. Ministria e Ekonomisë, përgjegjëse për sektorin energjetik, drejtohet nga një grua, ndërsa pozita e sekretares së përhershme mbahet gjithashtu nga një grua. Në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), dy nga pesë anëtarët e Bordit janë gra, duke treguar një përfaqësim më të lartë në nivelet vendimmarrëse, krahasuar me disa pjesë operative të sektorit energjetik.
Hendeku në fuqinë punëtore reflektohet gjithashtu edhe në sipërmarrje.
Tabela 2. Pronësia e grave në bizneset e lidhura me energjinë në Kosovë (2026)
| Kategoria | Biznese të regjistruara gjithsej | Biznese me pronare gra | Biznese në pronësi të grave |
| Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (Kategoria D) | 890 | 85 | 10% |
Burimi: Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (2002–2026).
Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, gratë zotërojnë vetëm 85 nga 890 bizneset e regjistruara në sektorin energjetik të kategorisë D. Kjo tregon se gratë mbeten të nënpërfaqësuara jo vetëm si të punësuara, por edhe si sipërmarrëse në një nga sektorët në zhvillim të vendit. Ndërsa energjia e ripërtëritshme, efikasiteti energjetik dhe shërbimet digjitale të energjisë zgjerohen, fakti se kush zotëron dhe udhëheq bizneset e reja do të ndikojë gjithnjë e më shumë në atë se kush përfiton nga tranzicioni.
Nga angazhimi politik te zbatimi
Me anë të Strategjisë, Kosova tregon se ka vendosur një ambicie politike, por ende nuk ka ndërtuar kornizën institucionale të nevojshme për ta realizuar atë. Krahasuar me prioritetet e tjera, si zgjerimi i energjisë së ripërtëritshme, efikasiteti energjetik, reduktimi i emetimeve dhe reforma e tregut të energjisë elektrike, përfshirja gjinore mbetet shumë më pak e zhvilluar sa i përket monitorimit, financimit dhe llogaridhënies.
Tabela 3. Përfshirja gjinore në Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2022–2031
| Fusha | Statusi | Hendeku kryesor |
| Njohja e rolit të grave në tranzicionin energjetik | E përfshirë | Ekziston një zotim i fortë politik, por me veprime të kufizuara pasuese. |
| Rritja e pjesëmarrjes së grave | E përfshirë | Është përcaktuar objektivi (25% deri në vitin 2031), por nuk është përcaktuar një rrugë e detajuar zbatimi apo veprime konkrete. |
| Të dhënat dhe treguesit për fuqinë punëtore | E kufizuar/Mungon | Nuk ka një bazë të qëndrueshme të të dhënave, kornizë monitorimi apo sistem raportimi. |
| Financimi dhe burimet | Mungon | Nuk ekziston një mekanizëm i dedikuar financimi. |
| Prokurimi i përgjegjshëm gjinor | Mungon | Nuk trajtohet në Strategji. |
| Zhvillimi i STEM dhe aftësive profesionale | E kufizuar | Nuk ka programe kombëtare të synuara. |
| Gratë në pozita udhëheqëse | Mungon | Nuk ka objektiva të matshëm për pozitat vendimmarrëse. |
Ku qëndron Kosova në tranzicionin energjetik evropian?
Sfida e Kosovës pasqyron një realitet më të gjerë global: energjia mbetet një nga sektorët më të mbizotëruar nga burrat në botë. Në Bashkimin Evropian, megjithatë, përfshirja e perspektivës gjinore po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e agjendës së tranzicionit energjetik, edhe pse qasjet ndryshojnë. Disa shtete e kanë integruar atë në planifikimin e tranzicionit të drejtë, të tjera fokusohen në zhvillimin e aftësive dhe krijimin e rrugëve drejt fushave STEM, ndërsa shumë e trajtojnë pjesëmarrjen e grave përmes politikave më të gjera të barazisë, pa masa të posaçme për sektorin energjetik.
Spanja ofron një nga shembujt më të avancuar të integrimit të perspektivës gjinore në planifikimin e tranzicionit të drejtë. Strategjia e Spanjës për tranzicion të drejtë përfshin analiza të tregut të punës me ndjeshmëri gjinore dhe masa për të mbështetur punësimin, zhvillimin e aftësive dhe sipërmarrjen në sektorët e gjelbër. Po ashtu, Irlanda ofron një shembull veçanërisht të rëndësishëm për ekonomitë që menaxhojnë ndikimet sociale dhe ekonomike të tranzicionit nga lëndët djegëse fosile, përfshirë rajonet e varura nga qymyri, si Kosova. Korniza e Irlandës për tranzicion të drejtë energjetik e lidh planifikimin rajonal të tranzicionit me rikualifikimin profesional, diversifikimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke dëshmuar se proces i tillë kërkon përgatitjen e fuqisë punëtore për punët e së ardhmes, e jo vetëm në zëvendësimin e burimeve të energjisë.
Finlanda nxjerr në pah rëndësinë e investimit afatgjatë në aftësi, duke lidhur tranzicionin e gjelbër me arsimin STEM, inovacionin dhe përgatitjen e brezave të rinj për tregun e punës. Danimarka, pavarësisht zhvillimit të avancuar në energjinë e erës, dëshmon se rritja e sektorëve të rinj energjetikë nuk garanton vetvetiu përfaqësim më të madh të grave në profesionet teknike. Ndërsa përvoja e Gjermanisë dhe e Austrisë tregon se edhe sistemet e forta industriale dhe arsimi profesional i zhvilluar kërkojnë masa specifike për të nxitur pjesëmarrjen e grave në inxhinieri dhe profesione të lidhura me energjinë.
Pos Strategjisë për Energji, Kosova ka hartuar edhe Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë (2026), në të cilin barazia gjinore trajtohet si një nga parimet udhëheqëse të tranzicionit energjetik dhe theksohet rëndësia e përfshirjes së grave në proceset e transformimit ekonomik dhe energjetik. Megjithatë, dokumenti ofron vetëm një referencë të përgjithshme për rritjen e pjesëmarrjes së grave deri në vitin 2031. Përtej këtij objektivi, mungojnë masa konkrete, plani i veprimit, statistika të ndara sipas gjinisë dhe mekanizma monitorimi për vlerësimin e progresit.
Çfarë duhet të bëjë Kosova deri në vitin 2031?
Arritja e objektivit prej 25 për qind të pjesëmarrjes së grave në sektorin energjetik, të përcaktuar në Strategji, kërkon kalimin nga ambicia në zbatim konkret. Veprimet e mëposhtme duhet të merren parasysh në Planin e Veprimit.
Së pari, Kosova duhet të krijojë një bazë kombëtare të të dhënave për fuqinë punëtore në sektorin energjetik, të ndara sipas gjinisë, e cila përfshin institucionet publike, ndërmarrjet energjetike, rregullatorët, kompanitë private dhe institucionet përkatëse arsimore. Të dhënat e besueshme janë thelbësore për hartimin e politikave efektive dhe matjen e progresit.
Së dyti, institucionet energjetike duhet të vendosin raportim të rregullt për fuqinë punëtore, i cili të mos ndjekë vetëm numrin e përgjithshëm të të punësuarve, por edhe pjesëmarrjen e grave në profesionet teknike, pozitat menaxheriale dhe ato udhëheqëse.
Së treti, treguesit gjinorë duhet të integrohen në kornizat e monitorimit të Strategjisë së Energjisë dhe Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, duke siguruar që përfshirja e fuqisë punëtore të vlerësohet krahas objektivave për energjinë e ripërtëritshme, reduktimin e emetimeve dhe efikasitetin energjetik.
Së katërti, Kosova duhet të investojë në profesionistët e ardhshëm përmes bursave, praktikave profesionale, programeve të punës praktike dhe mentorimit, duke inkurajuar më shumë gra të ndjekin karriera në inxhinieri, gjeologji, teknologji informative, menaxhim të energjisë dhe energji të ripërtëritshme.
Së pesti, projektet energjetike të financuara nga fondet publike dhe donatorët duhet të përfshijnë plane veprimi për barazi gjinore, të cilat zgjerojnë qasjen në punësim, trajnim dhe mundësi prokurimi, duke shmangur përforcimin e pabarazive ekzistuese.
Së fundi, përgjegjësia për arritjen e objektivit deri në vitin 2031 duhet të përcaktohet qartë. Ministria e Ekonomisë, kompanitë energjetike, rregullatorët, institucionet arsimore dhe partnerët zhvillimorë kanë të gjithë një rol në monitorimin e progresit, raportimin e rezultateve dhe adresimin e mangësive. Pa pronësi të qartë institucionale, objektivi rrezikon të mbetet vetëm një zotim politik pa një mekanizëm efektiv zbatimi.
Tranzicioni energjetik nuk mund të lërë pas talentin
Me më pak se pesë vite të mbetura deri në vitin 2031, tranzicioni energjetik i Kosovës do të vlerësohet jo vetëm nga rritja e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, ndërtimi i infrastrukturës së re apo ulja e emetimeve, por edhe nga fakti nëse vendi ka njerëzit dhe aftësitë e nevojshme për ta bërë këtë transformim të suksesshëm.
Arritja e objektivit prej 25 për qind kërkon më shumë sesa një zotim në letër; ky synim tregon nëse Kosova është e gatshme të krijojë mundësi reale që gratë të hyjnë, të kontribuojnë dhe të udhëheqin në një nga sektorët më të rëndësishëm të vendit. E ardhmja e sistemit energjetik të Kosovës nuk do të përcaktohet vetëm nga teknologjitë që ajo përvetëson, por nga njerëzit që do ta projektojnë, drejtojnë dhe përmirësojnë atë. Nëse Kosova arrin të shfrytëzojë të gjithë potencialin e saj njerëzor, tranzicioni energjetik mund të bëhet jo vetëm si një ndryshim në mënyrën se si vendi prodhon energji, por edhe një mundësi për të ndërtuar një ekonomi më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse.
