Në Dragash janë diskutuar sfidat e menaxhimit të pellgjeve lumore dhe problemet me të cilat përballen komunitetet lokale në menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Takimi u organizua nga EC Ma Ndryshe dhe mblodhi fermerë, bujq, përfaqësues të fshatrave, zyrtarë komunalë, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve, profesorë universitarë dhe hidroinxhinierë.
Diskutimet u përqendruan te gjendja e lumenjve, menaxhimi i ujërave dhe bashkëpunimi ndërmjet komunitetit dhe institucioneve. Ndër shqetësimet e ngritura ishin vërshimet, problemet me furnizimin me ujë të pijshëm dhe ndotja e lumenjve nga ujërat e zeza.
Një pjesë e takimit iu kushtua edhe përfshirjes së komunitetit në planifikimin dhe vendimmarrjen për menaxhimin e burimeve ujore, përcjell Energy Monitor.
Përfaqësuesit e Komunës së Dragashit njoftuan se impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Brezne është drejt përfundimit. Sipas tyre, planifikohet edhe ndërtimi i disa impianteve më të vogla të trajtimit në zona të tjera të komunës.
Trajtimi i ujërave të zeza u veçua si një nga masat për reduktimin e ndotjes së lumenjve dhe përmirësimin e gjendjes së pellgjeve lumore.
Takimi kishte për qëllim mbledhjen e shqetësimeve dhe propozimeve të komunitetit dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet për menaxhimin dhe mbrojtjen e ekosistemeve ujore në Dragash.



