Home / Lajme / Kosova / Qeveria propozon katër kandidatë për Bordin e ZRRE-së, kandidatët më të vlerësuar mbeten jashtë propozimit

Qeveria propozon katër kandidatë për Bordin e ZRRE-së, kandidatët më të vlerësuar mbeten jashtë propozimit

Qeveria e Kosovës ka propozuar katër kandidatë për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndërsa emrat janë proceduar për votim në Kuvend.

Kandidatët e propozuar janë Driton Gojani, Lutfije Dervishi, Hana Jakupi dhe Senad Domuzeti. Vendimi i Qeverisë është miratuar më 25 shtator, ndërsa më 30 shtator emrat janë proceduar nga Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.

Emërimi përfundimtar i anëtarëve të Bordit është kompetencë e Kuvendit të Kosovës.

Në procesin e përzgjedhjes, komisioni ad-hoc i themeluar nga Ministria e Ekonomisë zhvilloi intervistat me kandidatët e listës së ngushtë më 17 dhe 18 gusht, përcjell Energy Monitor.

Sipas rezultateve të vlerësimit, Driton Gojani ka marrë 49 pikë ose 81.7 për qind, Lutfije Dervishi 45.7 pikë ose 76.1 për qind, Senad Domuzeti 43.7 pikë ose 72.8 për qind, ndërsa Hana Jakupi 42.7 pikë ose 71.1 për qind.

ZRRE pa kuorum për vendimmarrje

Bordi i ZRRE-së nuk ka kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje që nga 3 gushti 2026, pas përfundimit të mandatit të tre anëtarëve.

Sipas ZRRE-së, Ligji për Rregullatorin e Energjisë kërkon të paktën tre anëtarë për kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve.

Mungesa e kuorumit nuk e ka ndërprerë punën e stafit profesional të ZRRE-së. Institucioni vazhdon aktivitetet që janë brenda kompetencave të stafit, përfshirë monitorimin e operatorëve të licencuar, njofton Energy Monitor.

Megjithatë, çështjet që kërkojnë vendim të Bordit nuk mund të përmbyllen pa rivendosjen e kuorumit. Këtu përfshihen raste në fushën e licencimit, autorizimeve për kapacitete të reja energjetike dhe ankesave të konsumatorëve.

Edhe përcaktimi ose ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike kërkon vendim të Bordit. Deri në marrjen e vendimeve të reja, ZRRE ka bërë të ditur se vazhdojnë të zbatohen tarifat ekzistuese sipas vendimeve në fuqi.

Dy kandidatë për kryesues të Bordit

Komisioni Parlamentar për Ekonomi ka proceduar për votim në Kuvend edhe dy kandidatë për pozitën e kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, Driton Gojanin dhe Ymer Fejzullahun.

Ministria e Ekonomisë kishte shpallur konkursin për kryesuesin dhe dy anëtarët e Bordit më 28 prill 2026.

Për pozitën e kryesuesit ishin pranuar nëntë aplikacione, ndërsa për dy pozitat e anëtarëve 13 aplikacione. Në listën e ngushtë ishin përfshirë pesë kandidatë për kryesues dhe 12 kandidatë për anëtarë, raporton Energy Monitor.

Në procesin e vlerësimit dhe intervistimit ka marrë pjesë edhe një përfaqësues i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, në cilësinë e monitoruesit të procedurës.

KALLXO: Kandidatët me më shumë pikë nuk janë të gjithë në listën e Qeverisë

KALLXO.com ka raportuar se lista e kandidatëve të propozuar nga Qeveria nuk përputhet plotësisht me renditjen sipas pikëve të procesit të vlerësimit.

Sipas dokumenteve të publikuara nga KALLXO, Petrit Pepaj ka marrë rezultatin më të lartë, me 49.3 pikë ose 82.2 për qind, por nuk është përfshirë në propozimin e Qeverisë. Edhe Gani Bucaj dhe Skender Mucolli, të cilët kanë marrë përkatësisht 48 dhe 47.7 pikë, nuk janë propozuar.

Në anën tjetër, Driton Gojani, i cili është renditur i dyti me 49 pikë, është përfshirë në listën e Qeverisë. KALLXO ka raportuar gjithashtu pikët dhe renditjen e kandidatëve të tjerë të propozuar.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Qeverisë i takon që nga lista e ngushtë të rekomandojë emrat për pozitat përkatëse.

Reagon edhe INDEP, kërkon transparencë për përzgjedhjen e kandidatëve

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar më 1 tetor lidhur me procesin, duke kërkuar transparencë mbi arsyetimin për kandidatët e propozuar.

INDEP thotë se, në një proces ku kandidatët janë intervistuar dhe vlerësuar me pikë, çdo ndryshim i konsiderueshëm nga renditja e vlerësimit duhet të shoqërohet me arsyetim të qartë, publik dhe të verifikueshëm.

Instituti thekson se ligji i jep Qeverisë kompetencën për t’i propozuar Kuvendit kandidatët, ndërsa emërimi përfundimtar është kompetencë e Kuvendit. Sipas INDEP-it, ushtrimi i kësaj kompetence duhet të shoqërohet me transparencë dhe respektim të procesit profesional të përzgjedhjes, përcjell Energy Monitor.

INDEP e lidh çështjen edhe me pavarësinë institucionale të ZRRE-së, duke argumentuar se rregullatori duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur si nga politika, ashtu edhe nga interesat e kompanive të energjisë.

Instituti kërkon që procesi i emërimit të mbështetet në profesionalizëm, integritet dhe rezultatet e procesit të vlerësimit, ndërsa Kuvendi të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës gjatë shqyrtimit të kandidatëve.

“Nëse vlerësimi profesional nuk respektohet, atëherë për çfarë bëhet vlerësimi?”, reagimet tjera në kundërshtim të procesit

Për këtë ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku. 

“Kandidati më i vlerësuar, si dhe kandidatët e renditur në vendin e tretë dhe të katërt, nuk janë propozuar fare nga Ministria e Ekonomisë. Nëse vlerësimi profesional nuk respektohet, atëherë për çfarë bëhet vlerësimi? Kjo është tragjike për shtetin tonë. Kjo është vrasje e meritokracisë dhe e besimit se në institucione mund të avancosh me dije, përvojë dhe rezultat”, ka shkruar Sadiku në një status në Facebook. 

Gjithashtu ka reaguar edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramdani, i cili këtë e ka quajtur skandal të radhës. 

“Skandali i radhës: Qeveria karate propozimit për Bordin e ZRRE-së. Nuk propozohen më të mirët në poentim. Kjo i bjen që konkursi nuk ka vlerë në këtë pushtet. Meritokracia është shkelur brutalisht”, ka shkruar Ramadani në një status në Fecebook.

Ai ka thënë se nuk janë propozuar më të mirët në poentim, por më të dobëtit. 

“Më 28.04.2026, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka shpallë konkurs për anëtarë të ZRRE. Më 10.07.2026 është themeluar Komisioni Rekomandues ad hoc. Më 17 dhe 18 gusht, Komisioni ka renditur kandidatët sipas pikëve të fituara në intervistë. Por, më të mirët në poentim nuk propozohen për Bordin e ZRRE, por më të dobëtit. Pra, i pari, i treti, i katërti, e gjashta, e shtata nuk propozohen nga Qeveria. Qeveria propozon të dytin, të pestën, të tetin dhe të nëntën”, ka shkruar Ramadani.

Edhe analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për pozitat në Zyrën e Rregullatorit për Energji, duke ngritur pikëpyetje mbi meritokracinë në proces. Në një reagim, Muharremi pretendon se kandidatët më të vlerësuar nga komisionet nuk janë përzgjedhur në fund, ndërsa vendimmarrjen e ka lidhur me ndikimin politik.

“Meritokracia e LVV-së. Pikët i jep komisioni, përzgjedhjen e bën politika, faturën e paguan qytetari dhe bizneset”, ka shkruar ai.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com