Sekretariati i Komunitetit të Energjisë konfirmon se Kosova dhe Bosnja janë të vetmet që nuk e kanë miratuar dhe dorëzuar ende Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës për periudhën 2025–2030.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar raportin për Planet Kombëtare të Energjisë dhe Klimës (NECP) 2025–2030 dhe progresin e arritur gjatë vitit 2025.
Kosova, së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën, renditen në kategorinë e vendeve që nuk e kanë dorëzuar ende këtë dokument, sipas raportit të publikuar së fundmi, për dallim nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Gjeorgjia dhe Ukraina.
Janë dorëzuar disa raporte sektoriale që mbulojnë energjinë e ripërtëritshme, efikasitetin e energjisë, sigurinë energjetike dhe tregun e brendshëm, por nuk është rapotuar dekarbonizimi, inventarët e gazetave serrë dhe parashikimet e emetimeve.
Raporti i Komunitetit të Energjisë thekson se vonesat në këtë proces rrezikojnë drejtpërdrejt qasjen e Kosovës në fondet dhe instrumentet e reja financiare të BE-së.
Kjo pengon integrimin e plotë rajonal në sistemin energjetik dhe funksionalizimin e tregut të brendshëm të energjisë, duke e lënë Kosovën më të ekspozuar ndaj pasigurisë energjetike dhe sfidave të ardhshme të tregut të energjisë në Evropë.
NECP është dokumenti strategjik afatgjatë i hartuar nga Ministria e Ekonomisë për periudhën deri në vitin 2030, që synon tranzicionin e gjelbër, uljen e varësisë nga thëngjilli dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj Komunitetit të Energjisë.
/albanianpost.com



