Rrjeti i transmetimit të Kosovës pritet të kalojë nëpër një cikël të gjerë investimesh gjatë dekadës së ardhshme, me projekte që shtrihen nga ndërtimi i nënstacioneve të reja dhe përforcimi i linjave ekzistuese, deri te interkonektorët e rinj me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bateritë për ruajtjen e energjisë dhe modernizimi i sistemeve të kontrollit.
Këto projekte janë përfshirë në Planin Dhjetëvjeçar për Zhvillimin e Rrjetit të Transmetimit 2026–2035 të KOSTT-it, të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në vitin 2026. Dokumenti përcakton projektet që KOSTT i konsideron të nevojshme për sigurinë e furnizimit, rritjen e kapaciteteve transmetuese, integrimin e burimeve të ripërtëritshme, teknologjive akumuluese dhe zhvillimin e tregut të energjisë elektrike.
Vetë KOSTT thekson se rritja e kërkesës, nevoja për siguri më të madhe të furnizimit dhe sidomos integrimi i gjenerimit të ri nga burimet e ripërtëritshme janë faktorët kryesorë që po shtyjnë investimet në rrjet. Strategjia e Energjisë 2022–2031, ndërkohë, e vendos dekarbonizimin dhe rritjen e përdorimit të energjisë nga dielli dhe era në qendër të zhvillimit të sektorit, përcjell Energy Monitor.
Plani i ri është edhe një përditësim i planit paraprak 2025–2034. KOSTT sqaron se projektet dhe afatet mund të ndryshojnë gjatë përditësimeve vjetore për shkak të kërkesave të reja për kyçje, sigurimit të financimit, shpronësimeve dhe problemeve të paparashikuara në prokurim.
Nënstacione të reja
Një pjesë e rëndësishme e investimeve është ndërtimi i nënstacioneve të reja. Ato do të krijojnë kapacitet shtesë për konsumatorët, por disa prej tyre janë të rëndësishme edhe për zhvillimin e gjenerimit të ri.
| Projekti | Përshkrimi kryesor | Viti |
|---|---|---|
| NS Malishevë 220/35/10(20) kV | Transformator 1×40 MVA dhe lidhje e dyfishtë 220 kV prej 250 metrash me linjën Drenas–Prizren 2 | 2027 |
| NS Dragash 110/35/10(20) kV | Transformator 1×40 MVA dhe lidhje të reja 110 kV drejt Zhurit dhe Kukësit | 2027 |
| NS Shtime 110/35/10(20) kV | Transformator 1×40 MVA dhe kabllo të dyfishtë 110 kV prej 1.7 km | 2028 |
| NS Mazgit 110/35/10(20) kV | Transformator 1×40 MVA dhe linjë e dyfishtë kabllore 110 kV prej 2.9 km | 2030 |
| NS Nashec 400/220/110 kV | Transformator fillestar 1×300 MVA dhe zgjerim i rrjetit 400/110 kV | 2032 |
NS Malisheva do të rrisë sigurinë e furnizimit në rajon dhe do të shkarkojë rrjedhat e fuqisë në NS Rahoveci. NS Dragashi do të krijojë një konfigurim të ri të rrjetit në jug të Kosovës, me lidhje drejt Zhurit dhe Kukësit.
Ndërkohë, NS Shtime është një nga ndryshimet interesante krahasuar me planin e mëparshëm. Në planin 2025–2034 projekti ishte planifikuar shumë më vonë, ndërsa në planin e ri është futur për 2028, duke e bërë atë një investim shumë më afatshkurtër.
NS Mazgiti, nga ana tjetër, është një tjetër nyje e re që synon të rrisë sigurinë e furnizimit në këtë zonë dhe të përmirësojë operimin e Termocentralit Kosova A.
Por mbi të gjitha këto qëndron NS Nashec, i cili është pjesë e një rikonfigurimi shumë më të madh të rrjetit 400 kV.
Linja të reja të transmetimit
Në dekadën e ardhshme, KOSTT planifikon edhe një seri linjash të reja, duke filluar nga lidhjet e shkurtra për nënstacionet dhe projektet e gjenerimit deri te korridoret e reja ndërkombëtare.
| Projekti | Tensioni | Gjatësia / përshkrimi | Viti |
| Malishevë – Drenas–Prizren 2 | 220 kV | 250 m, linjë e dyfishtë | 2027 |
| Prizren 2 – Zhur | 110 kV | 8 km | 2027 |
| Zhur – Dragash | 110 kV | 13 km, linjë e dyfishtë | 2027 |
| Zhur – Kukës | 110 kV | 26 km gjithsej, rreth 9 km në Kosovë deri në kufi | 2027 |
| Zatriq – Rahovec | 110 kV | 8.7 km | 2026 |
| SEGE – Gjakova 1 | 110 kV | 6.5 km | 2027 |
| Kramovik – rrjeti | 110 kV | 0.35 km, linjë e dyfishtë | 2027 |
| Prishtina 2 – Prishtina 4 | 110 kV | 4.85 km kabllo | 2027 |
| Prizren 1 – Prizren 2 | 110 kV | 5.2 km kabllo | 2028 |
| Deçan – Bajram Curri | 110 kV | 19 km deri në kufi | 2029 |
| Gjakovë – Nashec | 400 kV | 31.5 km | 2032 |
| Gjakovë – Peja 3 | 400 kV | 35.5 km | 2032 |
| Nashec – Fierza | 400 kV | 71 km, prej tyre 45 km në Kosovë | 2032 |
| Nashec/Prizren – Tetovë | 400 kV | rreth 80 km | 2035 |
Linja e fundit është veçanërisht e rëndësishme. Për herë të parë në këtë plan, lidhja 400 kV Nashec (Prizren) – Tetovëështë e përfshirë si projekt i planifikuar për vitin 2035. KOSTT e lidh atë me rritjen e kapacitetit ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut, krijimin e një unaze të re 400 kV dhe integrimin në shkallë të lartë të burimeve të ripërtëritshme, njofton Energy Monitor.
Korridori i ri 400 kV Kosovë – Shqipëri
Ndër investimet më të mëdha të planit është krijimi i një korridori të ri 400 kV në jugperëndim të Kosovës.
Projekti përfshin:
- NS Nashec 400/220/110 kV;
- stacionin shpërndarës Gjakovë 400 kV;
- linjën Gjakovë–Nashec, 31.5 km;
- linjën Gjakovë–Peja 3, 35.5 km;
- linjën e dytë 400 kV Nashec–Fierza, 71 km, prej të cilave rreth 45 km në territorin e Kosovës.
KOSTT thotë se projekti do të rikonfigurojë rrjetin 400 kV dhe 110 kV, do të optimizojë rrjedhat e fuqisë aktive dhe reaktive, do të reduktojë humbjet dhe do të rrisë kapacitetin ndërkufitar me Shqipërinë.
Por arsyeja strategjike shkon më tej: KOSTT e lidh këtë investim drejtpërdrejt me integrimin e burimeve të ripërtëritshme në shkallë të lartë dhe dekarbonizimin e sektorit të energjisë elektrike. Projekti është planifikuar për vitin 2032.
Lidhjet për parqet e erës dhe diellit
Një nga pjesët më konkrete të planit për investitorët në energji të ripërtëritshme është lista e projekteve të gjenerimit për të cilat KOSTT planifikon infrastrukturën e kyçjes.
Në plan janë përfshirë tri projekte kryesore:
| Projekti | Kapaciteti | Infrastruktura e kyçjes | Viti |
| Parku me Erë Zatriqi | 70 MW | Fushë 110 kV në NS Zatriq, fushë në NS Rahovec dhe linjë 8.7 km | 2026 |
| Parku Solar SEGE | 150 MWp / 136 MW AC | Fusha 110 kV në SEGE, fushë në Gjakova 1 dhe linjë 6.5 km | 2027 |
| Parku Solar Kramovik | 100 MW | Dy fusha 110 kV dhe linjë e dyfishtë 0.35 km | 2027 |
Këto projekte përfaqësojnë 320 MW kapacitet të ri të erës dhe diellit, nëse llogaritet kapaciteti nominal i projekteve të listuara.
Zatriqi është një ndryshim interesant në krahasim me listën që pamë në planin e mëparshëm. KOSTT tashmë e ka futur projektin 70 MW si projekt të dhënies së qasjes, me një linjë 110 kV prej 8.7 kilometrash drejt NS Rahovec.
Për SEGE-n, plani parasheh 150 MWp ose 136 MW AC, me një linjë 110 kV prej 6.5 kilometrash drejt Gjakovës 1. Ndërsa Kramovik, me 100 MW, do të lidhet përmes dy fushave 110 kV dhe një linje të dyfishtë prej vetëm 350 metrash.
Bateritë: 170 MW dhe 340 MWh
KOSTT nuk e sheh zhvillimin e rrjetit të ardhshëm vetëm përmes linjave dhe nënstacioneve. Plani përfshin edhe sistemet e baterive akumuluese.
| Projekti | Fuqia | Kapaciteti i ruajtjes | Lidhja | Viti |
| BESS-1 | 45 MW | 90 MWh | Kabllo 110 kV, rreth 0.7 km, drejt Ferizaj 2 | 2027 |
| BESS-2 & BESS-3 | 125 MW gjithsej | 250 MWh | Kabllo 110 kV drejt Peja 3 | 2028 |
BESS-1 është planifikuar për rritjen e rezervës sekondare aFRR dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme.
BESS-2 dhe BESS-3, me kapacitet të kombinuar prej 125 MW dhe 250 MWh, synojnë të rrisin fleksibilitetin e sistemit dhe të mundësojnë shërbime si mFRR, black start dhe zhvendosjen e pikut, përveç mbështetjes së integrimit të BRE-ve.
Në total, plani përfshin kështu 170 MW fuqi të baterive dhe 340 MWh kapacitet ruajtës.
Kjo është një nga shenjat më të qarta se si po ndryshon koncepti i rrjetit të Kosovës: nga një sistem i ndërtuar kryesisht për transportimin e energjisë së prodhuar nga termocentralet, drejt një sistemi që duhet të menaxhojë prodhim më të ndryshueshëm nga dielli dhe era.
Përforcimi i linjave ekzistuese
KOSTT planifikon gjithashtu të zëvendësojë përçuesit dhe të rindërtojë pjesë të linjave të vjetra 110 kV.
Shumë prej këtyre linjave janë ndërtuar dekada më parë dhe aktualisht kanë kapacitet transmetues rreth 83 MVA. Pas rehabilitimit, KOSTT në disa raste synon ta rrisë kapacitetin në 114 MVA dhe njëkohësisht të reduktojë humbjet.
| Projekti | Punimi kryesor | Viti |
| Kosova A – Bardhi – Ilirida | Rindërtim i segmentit 150 mm² dhe ndërtim i linjës së re të dyfishtë | 2027 |
| Prizren 1 – Prizren 3 | Ndërrim përçuesi me ACCC | 2028 |
| Bibaj – Kastriot | Rindërtim i 6.7 km | 2029 |
| Ferizaj 2 – Sharr | Rindërtim i 28.7 km | 2029 |
| Trepçë – Vallaq | Ndërrim përçuesi në 11.4 km | 2030 |
| Shtime – Therandë | Ndërrim përçuesi në 24.4 km | 2030 |
| Skenderaj – Bajpas | Ndërrim përçuesi në 9 km | 2031 |
| Vallaq – kufi | Përçues të rinj, përforcim shtyllash dhe izolatorësh në 18.78 km | 2032 |
Në rastin e linjës Kosova A–Bardhi–Ilirida, KOSTT planifikon çmontimin e një segmenti të vjetër prej 30.5 kilometrash dhe ndërtimin e një linje të re të dyfishtë prej 29.2 kilometrash. Projekti synon rritjen e kapacitetit dhe përmirësimin e sigurisë së sistemit.
Transformatorë të rinj në nënstacionet ekzistuese
Një pjesë e madhe e investimeve nuk do të dallohet në terren si nënstacion i ri. KOSTT do të zëvendësojë transformatorë të vjetër dhe do të instalojë transformatorë të dytë në nënstacionet ekzistuese.
Kjo është e rëndësishme për kriterin N-1, i cili kërkon që sistemi të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të sigurt edhe në rast të daljes nga puna të një elementi të rëndësishëm.
| Nënstacioni | Investimi | Viti |
| Fushë Kosovë | Transformator i dytë 40 MVA | 2027 |
| Kastriot | Transformator i dytë 40 MVA | 2027 |
| Gjakova 1 | Zëvendësim me transformator 40/40/40 MVA | 2027 |
| Prishtina 5 | Transformator i ri 40 MVA | 2027 |
| Prizren 1 | Zëvendësim me 40/40/40 MVA | 2027 |
| Peja 1 | Zëvendësim me 40/40/40 MVA | 2027 |
| Ferizaj 1 | Zëvendësim me 40/40/40 MVA | 2027 |
| Deçan | Zëvendësim me transformator 40 MVA | 2027 |
| Klinë | Transformator i dytë 40 MVA | 2028 |
| Gjilani 5 | Transformator i dytë 40 MVA | 2028 |
| Gjakova 1, Gjilani 1 dhe Viti | Zëvendësim i transformatorëve | 2029 |
| Prishtina 1 | Zëvendësim i transformatorit 63 MVA | 2030 |
| Gjakova 2 dhe Skenderaj | Zëvendësim i transformatorëve 40 MVA | 2032 |
| Prizren 3 dhe Peja 2 | Zëvendësim i transformatorëve 40 MVA | 2033 |
| Prizren 1 dhe Viti | Zëvendësim i transformatorëve | 2034 |
KOSTT thotë se këto projekte do të rrisin sigurinë e furnizimit, do të krijojnë rezerva transformuese për ngarkesat e ardhshme dhe në disa raste do të mundësojnë konvertimin e rrjetit nga 10 kV në 20 kV.
Revitalizimi i nënstacioneve
Përveç transformatorëve, një numër nënstacionesh do të kenë ndërhyrje më të gjera në pajisjet e tensionit të lartë.
| Nënstacioni | Punimet | Viti |
| Vallaq | 5 fusha linjash 110 kV, 2 fusha transformatorike, zbara, portale dhe fushë lidhëse | 2027 |
| Vushtrri 1 | 2 fusha linjash, 1 fushë transformatorike, zbara dhe fushë lidhëse | 2028 |
| Klinë dhe Burim | 3 fusha linjash dhe 2 fusha transformatorike | 2028 |
| Prishtina 3 | Zëvendësim i pajisjeve GIS 110 kV, fusha transformatorike dhe linjash | 2031 |
Në Vallaq, investimi është i lidhur edhe me rritjen e sigurisë së operimit të HC Ujmanit. Në Vushtrri 1, KOSTT e lidh projektin edhe me sigurinë e operimit të PE Selacit. Ndërsa në Prishtina 3, pajisjet ekzistuese GIS konsiderohen të vjetruara dhe pjesët rezervë janë të vështira për t’u siguruar.
Reaktori 100 MVAr në Ferizaj 2
Në listën e projekteve për funksionimin e tregut të energjisë elektrike është edhe një investim më teknik: reaktori variabël 100 MVAr në 400 kV në NS Ferizaj 2.
KOSTT planifikon instalimin e reaktorit në fushën e lirë 400 kV C05, me qëllim reduktimin e mbitensioneve në rrjetin transmetues. Projekti konsiderohet i koordinuar në nivel rajonal dhe është planifikuar për 2027.
Ky lloj investimi mund të jetë më pak i dukshëm për publikun sesa një linjë e re, por është i rëndësishëm për stabilitetin e sistemit në një rrjet ku rrjedhat e energjisë dhe prodhimi nga burimet e ndryshueshme pritet të rriten.
Interkonektorët e rinj
Plani i KOSTT-it nuk ndalet te përforcimi i rrjetit brenda Kosovës.
Dy projekte të rëndësishme ndërkufitare janë:
| Interkonektori | Tensioni | Përshkrimi | Viti |
| Deçan – Bajram Curri | 110 kV | Linjë e re rreth 19 km deri në kufi | 2029 |
| Nashec – Fierza | 400 kV | Linjë e dytë Kosovë–Shqipëri, 71 km | 2032 |
| Nashec – Tetovë | 400 kV | Rreth 80 km | 2035 |
Lidhja Deçan–Bajram Curri synon të rrisë kapacitetin ndërkufitar dhe të optimizojë operimin e bllokut rregullues.
Por dy projektet 400 kV janë të një shkalle tjetër. Nashec–Fierza do të krijojë interkonektorin e dytë 400 kV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa Nashec–Tetovë do të krijojë një lidhje të re të fuqishme me Maqedoninë e Veriut dhe, sipas KOSTT-it, një unazë të re 400 kV.
SCADA, telekomunikacioni dhe siguria kibernetike
Një sistem modern transmetimi nuk mund të mbështetet vetëm te infrastruktura fizike. KOSTT ka futur në plan edhe investime në kontrollin, komunikimin dhe mbrojtjen e rrjetit.
| Projekti | Përmbajtja | Periudha |
| Sinjalizimi i linjave për Aviacionin Civil | Topa sinjalizues, drita dhe ngjyrosje e shtyllave | 2022–2027 |
| Migrimi në sisteme të avancuara telekomunikuese | Bandwidth, segmentim, redundancë dhe mbrojtje | 2027 |
| SCADA/EMS i ri | Platformë e re në Qendrën Nacionale dhe Qendrën Emergjente Dispeçerike | 2027 |
| SCADA lokale | RTU dhe SCS në nënstacione | 2025–2027 |
| Modernizimi i mbrojtjeve rele | Zëvendësim në Kosova B, Podujevë, Drenas, Prishtina 4, Peja 2 dhe Vushtrri 2 | 2028–2033 |
Këto projekte lidhen me kërkesat teknike të ENTSO-E, rritjen e sigurisë së operimit dhe kontrollit të sistemit, si dhe me nevojën për sisteme më të mbrojtura nga sulmet kibernetike.
Çfarë ndryshon nga plani i mëparshëm?
Plani 2026–2035 nuk është një dokument krejtësisht i ri. Një pjesë e konsiderueshme e projekteve janë vazhdim i planit 2025–2034, por afatet janë ndryshuar dhe lista është përshtatur me kërkesat e reja.
Një nga shembujt më të qartë është NS Shtime. Në planin paraprak ishte planifikuar për vitin 2034, ndërsa në planin e ri është sjellë në 2028.
Edhe projektet e lidhura me burimet e ripërtëritshme janë më të qarta. Plani i ri përfshin Parkun me Erë Zatriqi 70 MW, përveç SEGE 150 MWp dhe Kramovik 100 MW.
Po ashtu, plani i ri e përfshin në mënyrë të qartë interkonektorin 400 kV Nashec – Tetovë, me rreth 80 kilometra gjatësi dhe afat të planifikuar për 2035.
KOSTT vetë paralajmëron se afatet nuk duhet të shihen si të pandryshueshme. Projektet mund të ridizajnohen ose të shtyhen për shkak të financimit, shpronësimeve, kërkesave të reja për kyçje apo problemeve në prokurim.
Një rrjet i ndërtuar për më shumë diell, erë dhe bateri
Nëse të gjitha projektet shihen së bashku, bëhet më e qartë se plani nuk është vetëm një program mirëmbajtjeje.
KOSTT po planifikon njëkohësisht të rrisë sigurinë e furnizimit, të zëvendësojë pajisje që kanë arritur fundin e ciklit të tyre jetësor, të krijojë kapacitet për konsum të ri dhe të ndërtojë infrastrukturën që nevojitet për një numër shumë më të madh të burimeve të ripërtëritshme.
Në anën e gjenerimit, vetëm projektet e identifikuara konkretisht për kyçje në këtë plan përfshijnë 70 MW erë në Zatriq, 150 MWp diell në SEGE dhe 100 MW diell në Kramovik. Në anën e ruajtjes, janë planifikuar 170 MW dhe 340 MWh bateri. Në anën e transmetimit, ndërkohë, janë planifikuar korridore të reja 400 kV drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh numrin e madh të kërkesave për kyçje që KOSTT ka pranuar në vitet e fundit. Vetë plani thekson se kërkesat për kyçje të gjenerimit të ri janë një nga faktorët që ndikojnë në ridizajnimin dhe ndryshimin e afateve të projekteve të rrjetit.
Investimet që mund të ndryshojnë hartën energjetike të Kosovës
Nga pikëpamja e zhvillimit të tregut, disa projekte dalin dukshëm mbi të tjerat. NS Nashec dhe korridori Gjakovë–Nashec–Peja 3–Fierza mund të ndryshojnë ndjeshëm kapacitetin e transmetimit në jugperëndim të Kosovës dhe lidhjen me sistemin shqiptar.
Nashec–Tetovë 400 kV do ta forconte lidhjen e Kosovës me Maqedoninë e Veriut dhe do të krijonte një unazë të re 400 kV.
Bateritë BESS do t’i japin sistemit kapacitete të reja për balancim, rezervë dhe menaxhim të prodhimit të ndryshueshëm. Ndërsa linjat dhe nënstacionet e reja në Malishevë, Dragash, Shtime dhe Mazgit, së bashku me rehabilitimin e linjave ekzistuese, do të rrisin kapacitetin e brendshëm të sistemit.
Për investitorët në energjinë e erës dhe diellit, kjo e bën planin e KOSTT-it një dokument veçanërisht të rëndësishëm. Vendndodhja e një projekti nuk përcaktohet vetëm nga burimi i erës ose diellit.
Disponueshmëria e kapacitetit të rrjetit, distanca nga nënstacioni, kriteri N-1, kapacitetet e linjave dhe koha kur përfundon infrastruktura e re mund të jenë po aq përcaktuese.



