Qeveria serbe ka zgjatur edhe për një javë masën për uljen e përkohshme të akcizave për karburantet, duke e mbajtur reduktimin prej 20 për qind deri më 30 gusht 2026.
Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare të Serbisë, akciza e përkohshme për benzinën pa plumb është caktuar në 57.60 dinarë për litër, ndërsa për naftën (dizelin) në 59.23 dinarë për litër. Për benzinën me plumb, akciza është 61.24 dinarë për litër.
Vendimi i ri zgjat masën që paraprakisht do të skadonte më 23 gusht. Qeveria serbe e ka vazhduar kështu për disa muaj politikën e uljes së përkohshme të akcizave, e cila ka nisur në mars si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të raportuara nga mediat serbe, çmimi me pakicë i Eurodizelit aktualisht është 231 dinarë për litër, ndërsa benzina BMB 95 kushton 202 dinarë për litër. Të dyja janë rritur me nga dy dinarë krahasuar me javën paraprake.
Vendimi për uljen e akcizave është pjesë e masave të Qeverisë së Serbisë për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të naftës në tregun vendas.
Sipas dokumentit zyrtar, normat e reduktuara janë dukshëm më të ulëta se normat e rregullta: akciza e përcaktuar me ligj për benzinën pa plumb është 72 dinarë për litër, ndërsa për naftën 74.04 dinarë për litër.
Serbia ka ndërmarrë edhe masa të tjera për stabilizimin e tregut të karburanteve. Qeveria ka vazhduar gjithashtu ndalimin e eksportit të naftës së papërpunuar dhe derivateve të naftës deri më 31 gusht 2026.
Masa për akcizat do të jetë në fuqi deri më 30 gusht, ndërsa çmimet e reja të karburanteve do të vazhdojnë të përcaktohen periodikisht nga autoritetet serbe, në varësi të zhvillimeve në tregun ndërkombëtar.



