Serbia ka nisur bisedimet me Bankën Botërore për përgatitjen e një programi shumëvjeçar për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së gazit natyror, me një vlerë të parashikuar prej rreth 1 miliard euro.
Ministrja serbe e Minierave dhe Energjetikës, Dubravka Đedoviq Handanoviç, tha se fokusi fillestar është ndërtimi i pjesës së parë të gazsjellësit Nish – Velika Pllana, si dhe përgatitja e dokumentacionit teknik për projektet që do të pasojnë.
Programi do të zbatohet në disa faza dhe synon të zgjerojë kapacitetet e rrjetit të gazit në Serbi, të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të mundësojë përdorim më të madh të interkonektorëve me vendet fqinje.
Gazsjellësi Nish – Vellika Plana në fazën e parë
Në fazën e parë parashihet ndërtimi i seksionit të parë të gazsjellësit Nish – Velika Pllana. Sipas qeverisë serbe, projekti duhet të ndihmojë në shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve të interkonektorëve ekzistues dhe të forcojë pozitën e Serbisë si vend tranziti dhe qendër rajonale e gazit.
Ministria serbe e sheh zgjerimin e rrjetit edhe si një mënyrë për të përmirësuar furnizimin me gaz në pjesët jugore dhe lindore të vendit dhe për të krijuar kushte më të mira për investime industriale.
Zgjerimi i magazinimit të gazit
Fazat e mëvonshme të programit përfshijnë zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese të magazinimit të gazit dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja, së bashku me tubacionet përkatëse.
Një nga projektet kryesore është zhvillimi i magazinës së gazit Tilva në Vojvodinë, së bashku me infrastrukturën lidhëse. Programi parashikon gjithashtu ndërtimin e një gazsjellësi nga Mokrin në Beograd.
Serbia ka ndërkohë vetëm një objekt ekzistues magazinimi në Banatski Dvor, kapaciteti i të cilit po zgjerohet nga 450 milionë në 750 milionë metra kub përmes një projekti prej rreth 145 milionë eurosh.
Banka Botërore do të financojë programin?
Serbia kishte njoftuar më herët se do të diskutojë me Bankën Botërore kushtet e financimit për programin, i cili vlerësohet në rreth 1 miliard euro. Bisedimet aktuale synojnë të përcaktojnë hapat e ardhshëm dhe mënyrën e financimit dhe zbatimit të projektit.
Programi përfshin gjithashtu forcimin e kapaciteteve institucionale dhe reforma në sektorin e gazit. Në kuadër të dokumentacionit teknik pritet të përgatitet edhe një analizë mbi gatishmërinë e infrastrukturës së gazit të Serbisë për transportin e hidrogjenit në të ardhmen.



