Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me Bordin dhe menaxhmentin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Drejtorin për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka vizituar punimet që po zhvillohen në Termocentralin Kosova B për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (DeNOx).
Sipas Rizvanollit, bëhet fjalë për projektin më të madh të financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë deri më tani, me rreth 86 milionë euro financim nga BE-ja, pa përfshirë bashkëfinancimin nga pala kosovare, njofton Energy Monitor.
“Falënderova z. Perr për këtë investim madhor dhe për angazhimin e tij personalisht, dhe ritheksova rëndësinë e përfundimit të investimeve sipas afatit të planifikuar, ashtu që blloku të kthehet në punë e të garantojë siguri të furnizimit gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, ka shkruar Rizvanolli.
Punimet kanë nisur pas viteve të shtyrjeve
Instalimi i elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx në njësinë B1 të Kosova B ka nisur në muajin prill/maj të këtij viti, pas një serie të gjatë shtyrjesh të projektit.
Sipas raportimeve të mëhershme të Energy Monitor, fondi për elektrofiltrat ishte siguruar nga BE-ja që në vitin 2019, ndërsa kontrata për implementimin e projektit ishte nënshkruar më 2 dhjetor të po atij viti, përcjell Energy Monitor.
Projekti parashikon ndërhyrje në njësitë e Kosova B dhe synon reduktimin e ndjeshëm të emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit.
Deri në 97% më pak pluhur dhe 75% më pak NOx
Investimi ka një rëndësi të veçantë edhe nga aspekti mjedisor.
Sipas të dhënave të prezantuara më herët nga ministrja Rizvanolli, pas përfundimit të investimeve pritet që emetimet e pluhurit të ulen deri në 97 për qind, ndërsa emetimet e oksideve të azotit (NOx) të reduktohen me deri në 75 për qind.
Këto ndërhyrje synojnë përmirësimin e performancës mjedisore të Termocentralit Kosova B dhe afrimin e operimit të tij me standardet evropiane, ndërsa njëkohësisht pritet të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në zonat përreth kompleksit energjetik.
Investimi lidhet edhe me sigurinë e furnizimit
Përveç objektivave mjedisore, projekti është pjesë e një cikli më të gjerë investimesh në Kosova B.
Modernizimi i njësisë B1 përfshin edhe ndërhyrje në turbinë, kullën ftohëse, gypat e kaldajës dhe pajisje të tjera, me synim rritjen e sigurisë operacionale dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së njësisë, njofton Energy Monitor.
Sipas Rizvanollit, investimet në kapacitetet ekzistuese pritet t’i zgjasin jetën operative termocentralit për rreth 20 vjet, duke ulur njëkohësisht ndotjen dhe duke forcuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Përfundimi në kohë i punimeve është veçanërisht i rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, pasi njësia duhet të rikthehet në operim për të kontribuar në mbulimin e kërkesës gjatë muajve të dimrit.
Projekti i elektrofiltrave dhe DeNOx paraqet kështu një ndërhyrje të dyfishtë: reduktimin e ndotjes nga një prej burimeve kryesore të prodhimit të energjisë në vend dhe modernizimin e një kapaciteti që mbetet i rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.



