Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar një studim mbi burimet e naftës në nivel global, sipas të cilit pesë shtete – Venezuela, Arabia Saudite, Irani, Kanadaja dhe Iraku – zotërojnë së bashku rreth 61.6 për qind të rezervave të provuara botërore të naftës.
Sipas studimit, këto pesë shtete kanë gjithsej rreth 1.087 trilionë fuçi naftë të provuar, duke përfaqësuar më shumë se gjysmën e pasurisë strategjike të naftës në botë.
Në vendin e parë renditet Venezuela me rreth 303 miliardë fuçi, apo 17.17 për qind të rezervave botërore. Pas saj vijnë Arabia Saudite me 267.2 miliardë fuçi, Irani me 208.6 miliardë, Kanadaja me 163.1 miliardë dhe Iraku me 145 miliardë fuçi.
AKB thekson se zotërimi i rezervave të mëdha të naftës nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përfitime më të mëdha ekonomike, pasi vlera e shtuar krijohet kryesisht përmes përpunimit, rafinimit dhe industrisë petrokimike.
“Të zotërosh naftën nuk do të thotë domosdoshmërisht të fitosh më shumë prej saj!”, thuhet në studimin e AKB-së.
Sipas Aleancës, një fuçi nafte bruto mund të përpunohet në benzinë, dizel, karburant për aviacion, gaz të lëngshëm, vajra lubrifikues, asfalt, plastikë, produkte kimike dhe qindra produkte të tjera industriale.
“Vlera më e madhe ekonomike krijohet përgjatë zinxhirit të përpunimit të naftës bruto në benzinë, dizel, karburant për aviacion, gaz, lubrifikantë, asfalt, plastikë dhe qindra produkte të tjera të industrisë petrokimike”, vlerëson AKB.
Studimi veçon Arabinë Saudite si një prej shembujve të vendeve që nuk mbështeten vetëm te rezervat, por kanë ndërtuar një sistem të fuqishëm të nxjerrjes, eksportimit, rafinimit dhe industrisë petrokimike.
Ndërkohë, Venezuela paraqitet si shembull se rezervat e mëdha nuk garantojnë automatikisht prodhim të lartë dhe pasuri ekonomike, për shkak të problemeve politike, mungesës së investimeve dhe vështirësive në sektorin energjetik.
Edhe Irani, sipas studimit, ka potencial të madh energjetik, por shfrytëzimi i tij ekonomik është kufizuar ndër vite nga sanksionet dhe tensionet ndërkombëtare. Kanadaja, në anën tjetër, ka përfituar nga kombinimi i rezervave, teknologjisë moderne, stabilitetit institucional dhe qasjes në tregjet e Amerikës së Veriut.
Për Irakun, AKB thekson se luftërat, krizat politike dhe problemet infrastrukturore kanë ndikuar në shfrytëzimin e plotë të potencialit të tij të madh energjetik.
Në studim theksohet se fuqia energjetike e një shteti nuk matet vetëm me sasinë e naftës nën tokë, por edhe me kapacitetin për nxjerrje, rafinim, teknologji, industri petrokimike, depozitim, transport dhe qasje në tregjet ndërkombëtare.
“Kush zotëron rezervën, zotëron pasurinë natyrore. Kush kontrollon rafinimin, teknologjinë dhe tregun, krijon vlerë të shtuar dhe mundësi për përfitime më të mëdha ekonomike”, thuhet në përfundimet e studimit.
AKB përmend Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinën, Indinë, Korenë e Jugut dhe Arabinë Saudite si vende që kanë ndërtuar kapacitete të mëdha të rafinimit dhe përpunimit të naftës. Si një prej shembujve më të mëdhenj përmendet kompleksi i rafinimit Jamnagar në Indi.
Një pjesë e veçantë e studimit i kushtohet Kosovës, e cila, sipas AKB-së, nuk disponon rezerva të konsiderueshme të naftës dhe mbetet pothuajse tërësisht e varur nga importi i derivateve.
Sipas Aleancës, kjo e bën ekonominë dhe qytetarët të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve ndërkombëtare, krizave gjeopolitike, konflikteve, ndërprerjeve të rrugëve tregtare dhe luhatjeve në tregjet globale.
Për këtë arsye, AKB kërkon rritjen e rezervave strategjike të derivateve, diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe investime në infrastrukturën energjetike.
Po ashtu, Aleanca kërkon zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, përfshirë energjinë solare dhe atë të erës, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal për sigurinë energjetike.
Në këtë kuadër, AKB kërkon që Kosova të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në, Shqipërinë dhe vendet e rajonit për krijimin e korridoreve më të sigurta energjetike e tregtare, duke përfshirë edhe mundësitë për furnizim me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga tregjet ndërkombëtare.
Në përfundim të studimit, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se siguria energjetike duhet të trajtohet si çështje strategjike për Kosovën.
“Nafta është pasuri natyrore. Rafinimi është fuqi industriale. Derivatet janë vlerë ekonomike. Siguria e furnizimit është interes kombëtar”, tha Shahini.
Ai theksoi se sfida e Kosovës nuk është të zotërojë naftë që nuk e ka, por të ndërtojë një sistem modern të sigurisë së furnizimit, depozitimit strategjik dhe diversifikimit të burimeve.
“Siguria energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike. Ajo është çështje e sigurisë kombëtare, e stabilitetit të tregut dhe e mbrojtjes së qytetarëve dhe bizneseve nga krizat e ardhshme”, deklaroi Shahini.



