Rumania zgjat përkohësisht funksionimin e disa termocentraleve me linjit, pavarësisht angazhimit për mbylljen e tyre deri më 31 gusht 2026 në kuadër të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Reziliencës (NRRP).
Qeveria rumune ka vendosur që njësitë Craiova 1 dhe Craiova 2 të vazhdojnë punën deri në fund të tremujorit të dytë të vitit 2027, ndërsa Turceni 5 deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2028.
Vendimi është arsyetuar me nevojën për të garantuar kapacitete të mjaftueshme prodhuese dhe furnizim të pandërprerë me energji dhe ngrohje, përcjell Energy Monitor.
Sipas qeverisë, vendimi vjen në një periudhë me mungesë të theksuar të ujit në Danub, temperatura të larta, kërkesë të shtuar për energji dhe pritshmëri për prodhim më të ulët nga era dhe dielli.
Në kuadër të NRRP-së, Rumania ishte zotuar të nxirrte nga funksionimi deri më 31 gusht rreth 710 MW kapacitete të energjisë nga linjiti dhe qymyri.
Vendimi vjen gjithashtu pasi centrali bërthamor i Cernavodă ndaloi të dy njësitë e tij në fillim të gushtit për shkak të niveleve jashtëzakonisht të ulëta të Danubit, të shkaktuara nga thatësira.
Rasti i Rumanisë tregon vështirësinë që po has tranzicioni energjetik edhe brenda BE-së, ku siguria e furnizimit po detyron shtetet të shtyjnë përkohësisht planet për largimin nga qymyri.



