Vetëm edhe dy javë kanë mbetur për të aplikuar në konkursin fotografik “Women in Energy”, përmes të cilit gratë që punojnë në sektorin e energjisë ftohen të tregojnë punën e tyre përmes fotografisë.
Thirrja u drejtohet grave që punojnë në sektorin e energjisë dhe kanë qëndrim afatgjatë në një nga palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë. Në mesin e vendeve të pranueshme është edhe Kosova, krahas Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Ukrainës.
Secila pjesëmarrëse mund të dorëzojë deri në dy fotografi që e paraqesin atë në mjedisin e saj të punës. Fotografia mund të tregojë vendin e punës, pajisjet, aktivitetet ose aspekte të tjera që lidhen me punën e saj në sektorin energjetik, përcjell Energy Monitor.
Nisma është organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në bashkëpunim me GIZ-in në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Sipas organizatorëve, iniciativa synon të rrisë dukshmërinë dhe njohjen e grave në sektorin e energjisë, duke nxjerrë në pah rolet, ekspertizën dhe kontributin e tyre. Ajo synon gjithashtu të sfidojë stereotipet gjinore dhe të krijojë modele që mund të frymëzojnë brezat e ardhshëm, njofton Energy Monitor.
Në konkurs mund të marrin pjesë gra që punojnë në role të ndryshme në sektorin energjetik, përfshirë pozita teknike, operacionale, inxhinierike, rregullatore, kërkimore, në politika dhe menaxhim.
Dhjetë fotografitë e përzgjedhura do të prezantohen në një ekspozitë gjatë Forumit për Tranzicion të Drejtë 2026, që do të mbahet më 20 tetor në Podgoricë, Mal të Zi. Sipas organizatorëve, ekspozita mund të prezantohet më pas edhe në ngjarje të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.
Tri fitueset e para do të kenë mundësi për promovim përmes rrjeteve të Komunitetit të Energjisë dhe GIZ-it. Çmimet përfshijnë gjithashtu mundësinë e mbështetjes financiare deri në 500 euro për pjesëmarrje në Forumin për Tranzicion të Drejtë ose në një trajnim profesional në fushën e energjisë.
Afati i fundit për aplikim është 21 shtator 2026.
Thirrja u ofron grave që punojnë në sektorin energjetik mundësinë të dokumentojnë dhe të prezantojnë përmes fotografisë punën e tyre dhe rolin që kanë në sektor.



