Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK), në partneritet me projektin Greening Private Enterprises in Kosovo (GPEK), ka nisur krijimin e Inventarit të Praktikave të Gjelbra të NVM-ve në Kosovë dhe u ka bërë thirrje bizneseve në të gjithë vendin që të marrin pjesë në një anketë online.
Anketa synon të mbledhë të dhëna mbi mënyrën se si bizneset në Kosovë po zbatojnë praktika që lidhen me efikasitetin e burimeve, përdorimin e energjisë, menaxhimin e mbeturinave dhe fusha të tjera mjedisore.
OEGJK njofton se plotësimi i anketës zgjat rreth 10 minuta. Pjesëmarrja është vullnetare, ndërsa përgjigjet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe do të raportohen vetëm në formë të agreguar, përcjell Energy Monitor.
Sipas OEGJK-së, përmes ndarjes së përvojave të tyre, bizneset mund të kontribuojnë në krijimin e një pasqyre më të qartë mbi praktikat aktuale të gjelbra në sektorin privat të Kosovës.
Inventari menaxhohet nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK) me mbështetjen e projektit Greening Private Enterprises in Kosovo (GPEK).
GPEK është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas Kosovo. Projekti synon të mbështesë transformimin e gjelbër të ndërmarrjeve private në Kosovë, përfshirë përmirësimin e efikasitetit të burimeve dhe adoptimin e praktikave më të qëndrueshme të biznesit.
Bizneset në Kosovë mund të marrin pjesë duke plotësuar anketën online të OEGJK, e cila është pjesë e procesit për krijimin e inventarit të praktikave të gjelbra.



