Home / Lajme / Kosova / Kurti prezanton programin energjetik: 555 MW erë e diell, 340 MWh bateri dhe 150 milionë euro për efiçiencë

Kurti prezanton programin energjetik: 555 MW erë e diell, 340 MWh bateri dhe 150 milionë euro për efiçiencë

Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur në Kuvend objektivat e qeverisë së re për sektorin e energjisë, me fokus në rritjen e prodhimit vendor, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, modernizimin e termocentraleve, magazinimin e energjisë dhe zgjerimin e ngrohjes qendrore.

Në programin e prezantuar më 13 shtator, Qeveria synon që më shumë se 93% e energjisë elektrike për familjet dhe ndërmarrjet e vogla të sigurohet nga burimet vendore, ndërsa eksporti i energjisë elektrike në raport me konsumin të kalojë 30%.

555 MW kapacitete të reja nga era dhe dielli

Kurti tha se projektet e nisura tashmë do të sigurojnë së paku 305 MW kapacitete të energjisë së erës dhe 250 MW energji diellore.

Sipas programit, këto kapacitete do të kontribuojnë që rreth 20% e energjisë së konsumuar në Kosovë të vijë nga burimet e pastra, njofton Energy Monitor.

Objektivat vijnë në një kohë kur Kosova po shton kapacitetet e reja të energjisë së ripërtëritshme përmes ankandeve dhe projekteve private. Vetëm parku i erës në Zatriq, i inauguruar më 10 shtator, ka kapacitet prej 70 MW dhe pritet të prodhojë rreth 185 GWh në vit.

Programi i qeverisë parashikon gjithashtu vazhdimin e zhvillimit të tregut të energjisë dhe integrimin më të thellë me tregjet rajonale përmes ALPEX-it.

Kosova A dhe Kosova B mbeten pjesë e sistemit

Përkrah investimeve në burimet e ripërtëritshme, qeveria planifikon të vazhdojë modernizimin e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

Sipas Kurtit, rehabilitimi i thellë i Kosovës A synon të rrisë kapacitetin prodhues për 60%, ndërsa investimet në Kosovën B përfshijnë modernizimin dhe instalimin e filtrave.

Programi parasheh që filtrat në Kosovën B të ulin emetimet e pluhurit me 97% dhe emetimet e oksideve të azotit me 75%. Këto objektiva janë pjesë e planit më të gjerë për rritjen e sigurisë së furnizimit dhe uljen e ndikimit mjedisor të prodhimit nga linjiti.

340 MWh bateri për fleksibilitetin e rrjetit

Një nga komponentët kryesorë të programit është sistemi i madh i magazinimit të energjisë përmes baterive.

Qeveria synon të operacionalizojë projektin prej gjithsej 170 MW dhe 340 MWh, të mbështetur përmes Kompaktit të MCC-së. Sistemi përbëhet nga 125 MW/250 MWh që do të menaxhohen nga Korporata për Ruajtjen e Energjisë, ESCorp, dhe 45 MW/90 MWh që do të jenë në funksion të KOSTT-it.

Bateritë do të përdoren për balancimin e sistemit, menaxhimin e luhatjeve ndërmjet prodhimit dhe konsumit dhe integrimin e kapaciteteve të reja të energjisë së erës dhe diellit, përcjell Energy Monitor.

Projekti i ruajtjes së energjisë është një nga komponentët kryesorë të Kompaktit të Kosovës dhe synon të ulë nevojën për blerje në tregun e disbalancave dhe të rrisë fleksibilitetin e rrjetit.

150 milionë euro për efiçiencën e energjisë

Programi i ri parasheh gjithashtu 150 milionë euro investime në kursimin e energjisë, me synim përfshirjen e rreth 400 ndërtesave publike dhe të paktën 8,000 familjeve.

Këto investime pritet të ulin konsumin e energjisë, kostot e furnizimit dhe ngarkesën mbi sistemin elektrik, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.

Qeveria ka vazhduar ndërkohë edhe me programet e renovimit energjetik të banesave. Më 8 shtator, Kurti deklaroi se 192 familje pritet të mbështeten deri në fund të vitit për renovimin e shtëpive, ndërsa deri në vitin 2028 synohen gjithsej 280 familje.

Ngrohja qendrore do të zgjerohet në tetë qytete

Një tjetër pjesë e programit është zgjerimi i sistemeve të ngrohjes qendrore.

Përveç Prishtinës, ku sistemi ekzistues pritet të zgjerohet, qeveria synon të nisë zhvillimin e ngrohjes qendrore në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Podujevë dhe Lipjan.

Zgjerimi i ngrohjes qendrore shihet edhe si masë për reduktimin e përdorimit individual të energjisë elektrike për ngrohje gjatë dimrit, duke ulur presionin mbi rrjetin në periudhat e konsumit të lartë.

Gazifikimi i qymyrit dhe Trepça

Programi përfshin edhe planifikimin e gazifikimit të qymyrit dhe linjitit, si një prej teknologjive që qeveria synon ta shqyrtojë në kuadër të zhvillimit të sektorit energjetik.

Në sektorin minerar, rreth 50 milionë euro janë paraparë për skanimin e pasurive minerare, ndërsa Trepça përmendet si një nga kompanitë që do të jetë në qendër të partneriteteve energjetike, përcjell Energy Monitor.

Qeveria synon kështu të kombinojë rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit me investimet në burime të ripërtëritshme, magazinim, rrjet dhe efiçiencë.

Programi energjetik mbështetet në një model ku termocentralet vazhdojnë të sigurojnë bazën e prodhimit në periudhën e tranzicionit, ndërsa era dhe dielli, së bashku me bateritë dhe zhvillimin e rrjetit, synohet të marrin një rol gjithnjë e më të madh në sistemin elektroenergjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com