Home / Lajme / Energjia konvencionale / Sindikata e Re – KEK kërkon rritje të prodhimit dhe përgjegjësi nga punëtorët dhe menaxhmenti

Sindikata e Re – KEK kërkon rritje të prodhimit dhe përgjegjësi nga punëtorët dhe menaxhmenti

Sindikata e Re – KEK u ka bërë thirrje punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për më shumë disiplinë, angazhim dhe përgjegjësi në punë, duke kërkuar në të njëjtën kohë rezultate më të mira në prodhimin e qymyrit dhe energjisë elektrike.

Në një deklaratë drejtuar punëtorëve, sindikata thekson se rritja e prodhimit dhe realizimi i objektivave të KEK-ut kërkojnë angazhim nga të gjitha njësitë, nga nxjerrja dhe transporti i qymyrit deri te termocentralet, mirëmbajtja dhe shërbimet teknike.

“Puna kërkon përgjegjësi, ndërsa përgjegjësia matet me rezultate”, thuhet në deklaratë.

Thirrje për rritje të prodhimit

Sindikata kërkon që çdo sektor dhe departament të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe në shfrytëzimin sa më efikas të kapaciteteve ekzistuese të KEK-ut.

Në deklaratë, prodhimi i qëndrueshëm i energjisë shihet si rezultat i punës së koordinuar përgjatë gjithë zinxhirit, përfshirë prodhimin e qymyrit, funksionimin e termocentraleve, mirëmbajtjen dhe transportin.

Sindikata thekson gjithashtu rëndësinë e sigurisë në punë dhe të respektimit të rregullave të brendshme.

Evidentimi i orarit dhe përgjegjësia individuale

Një pjesë e thirrjes i kushtohet edhe evidencës së orarit të punës. Sindikata rikujton punëtorët se përdorimi i kartelës së evidencës është personal dhe se ajo nuk duhet t’i jepet apo të përdoret nga një punëtor tjetër.

Sipas deklaratës, keqpërdorimi i kartelës përbën shkelje të rëndë të rregullave të punës të KEK-ut.

Kërkesa edhe për menaxhmentin

Sindikata thekson se përgjegjësia për rezultatet nuk duhet të kërkohet vetëm nga punëtorët, por edhe nga menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut.

Ajo kërkon organizim më të mirë të punës, plotësimin e vendeve të nevojshme të punës, pajisje dhe mjete adekuate, përmirësimin e sigurisë dhe kushteve të punës, respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe rritjen e pagave.

“Punëtori duhet të japë maksimumin në punë, por Menaxhmenti duhet t’ia krijojë punëtorit kushtet”, thuhet në deklaratë.

Sindikata vlerëson se KEK-u ka nevojë njëkohësisht për punëtorë të angazhuar dhe për menaxhim profesional, të përgjegjshëm dhe efikas, në mënyrë që të rritet prodhimi dhe të forcohet siguria energjetike e vendit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com