Minatorët e lënduar në “Trepçë” po përballen me vonesa të gjata në marrjen e kompensimit për dëmet e pësuara në vendin e punës, ndërsa procedurat gjyqësore në disa raste zgjasin me vite.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga KALLXO.com, një minator i lënduar në vitin 2019 ka paditur “Trepçën” në vitin 2020, por deri në shtator 2026 ende nuk është mbajtur seancë. Në dy raste të tjera, paditë e ngritura në vitin 2020 kanë marrë vendim në shkallën e parë vetëm në fund të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026, ndërsa tash ndodhen në Gjykatën e Apelit.
Problemi shoqërohet edhe me numrin e lëndimeve në miniera. Vetëm deri në korrik të vitit 2026, në minierën e Stantërgut janë regjistruar 40 lëndime të minatorëve gjatë punës. Sipas Sindikatës së Minatorëve, që nga paslufta janë shënuar edhe katër raste me fatalitet në minierat e “Trepçës”, transmeton Energy Monitor.
Hulumtimi evidenton gjithashtu vonesa në furnizimin me pajisje personale mbrojtëse, përfshirë uniformat, helmetat dhe çizmet. Një tender i hapur nga “Trepça” në shkurt 2026 për pajisje mbrojtëse u anulua në gusht për shkak të mungesës së ofertave të përgjegjshme.
KALLXO.com raporton se minatorët përballen edhe me raste të sëmundjeve profesionale, ndërsa Sindikata thotë se mungesa e një kuadri të përshtatshëm ligjor e vështirëson trajtimin e këtyre rasteve.



