Home / Lajme / Tjera / Sadiku: Pa kapacitete të reja të energjisë, Kosova vështirë se mund të tërheqë qendra të të dhënave

Sadiku: Pa kapacitete të reja të energjisë, Kosova vështirë se mund të tërheqë qendra të të dhënave

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka ngritur çështjen e furnizimit me energji elektrike si një nga pengesat kryesore për zhvillimin e infrastrukturës së dataqendrave në Kosovë.

Në një postim në rrjetet sociale, Sadiku ka argumentuar se zhvillimi i dataqendrave, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës fizike për shërbimet cloud, përpunimin e të dhënave dhe aplikimet e inteligjencës artificiale, kërkon në radhë të parë kapacitete të mjaftueshme dhe të qëndrueshme të energjisë elektrike.

Sipas tij, Kosova nuk ka shtuar gjatë viteve të fundit kapacitete të reja të mëdha të prodhimit të energjisë, çka, sipas Sadikut, e vështirëson krijimin e infrastrukturës së nevojshme për ekonominë digjitale, përcjell Energy Monitor.

“Rrymë. Rrymë. Rrymë”, ka shkruar Sadiku, duke e lidhur drejtpërdrejt zhvillimin e dataqendrave me kapacitetet e prodhimit të energjisë.

Deputeti ka sjellë si shembull Irlandën, duke pretenduar se vendi ka rreth 31 MW kapacitet të dataqendrave për çdo 100 mijë banorë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian është rreth 2.75 MW për 100 mijë banorë. Ai ka thënë se për Kosovën nuk është lehtë të gjendet një statistikë e krahasueshme për kapacitetin e përgjithshëm të dataqendrave.

Dataqendrat janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë dhe zhvillimi i tyre lidhet jo vetëm me sasinë e energjisë në dispozicion, por edhe me sigurinë e furnizimit, kapacitetin e rrjetit dhe mundësinë për të siguruar energji në mënyrë të parashikueshme dhe konkurruese.

Çështja bëhet veçanërisht relevante në Kosovë në një kohë kur vendi po zhvillon kapacitete të reja nga energjia e ripërtëritshme, ndërsa po përballet edhe me nevojën për investime në rrjet dhe diversifikimin e burimeve të prodhimit.

Sadiku e ka lidhur këtë situatë me potencialin e Kosovës për të zhvilluar sektorë të rinj të ekonomisë digjitale, duke argumentuar se infrastruktura energjetike është një parakusht për investime të tilla.

Megjithatë, postimi i deputetit nuk paraqet të dhëna zyrtare për kapacitetin aktual të dataqendrave në Kosovë dhe as një analizë të kërkesës së mundshme për energji nga ky sektor.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com