Home / Lajme / Rajoni / Fabrika kroate e vajit të gatimit do të mbulojë mbi 60% të konsumit me energji diellore

Fabrika kroate e vajit të gatimit do të mbulojë mbi 60% të konsumit me energji diellore

Fabrika e vajit të gatimit në Çepin të Kroacisë do të mbulojë më shumë se 60 për qind të nevojave të saj për energji elektrike nga dy centrale diellore, pas përfundimit të një impianti të ri fotovoltaik dhe instalimit të një sistemi të madh baterish.

Kompania agro-ushqimore kroate Žito Grupa ka përfunduar ndërtimin e centralit të ri solar TUČ 2, me kapacitet prej 3.5 MW, në kompleksin e fabrikës në Čepin. Krahas tij është instaluar një sistem baterish për ruajtjen e energjisë me fuqi 4.5 MW dhe kapacitet 9 MWh, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Centrali i ri pritet të prodhojë rreth 5,500 MWh energji elektrike në vit. Fabrika konsumon gjithsej rreth 10,130 MWh në vit.

Energjia e prodhuar do të përdoret kryesisht për nevojat e fabrikës, ndërsa tepricat do të ruhen në bateri. Kjo e bën fabrikën një vetëprodhues të energjisë, duke i mundësuar të përdorë energjinë diellore edhe jashtë orëve kur panelet prodhojnë energji, transmeton Energy Monitor.

Fabrika kishte tashmë një central solar me kapacitet 1.7 MW, i cili u vu në funksion në vitin 2023, por nuk kishte sistem baterish. Me centralin e ri, të dy impiantet së bashku do të mbulojnë më shumë se 60 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike të fabrikës.

Investimi në centralin e ri TUČ 2 është 3.85 milionë euro. Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Reziliencës të Kroacisë, si pjesë e mbështetjes për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe burimeve në kompani.

Sipas Žito Grupës, kombinimi i prodhimit solar me bateritë i mundëson fabrikës të menaxhojë më mirë konsumin e energjisë dhe të ulë varësinë nga rrjeti, përcjell Energy Monitor.

Sistemi i magazinimit gjithashtu i jep fabrikës mundësinë që një pjesë të energjisë së prodhuar gjatë ditës ta ruajë dhe ta përdorë në një moment tjetër, duke e bërë konsumin e energjisë diellore më fleksibil.

Kompania tha se investimi pritet të kontribuojë në uljen e kostove të energjisë dhe të gjurmës së karbonit, ndërsa i jep fabrikës një furnizim më të parashikueshëm me energji.

Modeli i kombinimit të energjisë diellore me bateri po përdoret gjithnjë e më shumë nga konsumatorët industrialë në rajon, veçanërisht në objektet me konsum të lartë dhe të qëndrueshëm të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com