Fortis Energy dhe kompania turke Inelso Energy Systems do të investojnë 25.5 milionë euro në ndërtimin e një centrali solar me kapacitet 30 MWp në Vojvodinë të Serbisë, i cili do të shoqërohet me një sistem baterish për ruajtjen e energjisë.
Projekti ka përfunduar fazën e zhvillimit dhe është gati për ndërtim. Sipas Fortis Energy, leja e ndërtimit pritet të merret brenda një muaji.
Centrali pritet të prodhojë më shumë se 40 GWh energji elektrike në vit, e barasvlershme me konsumin vjetor të më shumë se 11 mijë familjeve, përcjell Energy Monitor.
Energjia e prodhuar do të shitet përmes një kombinimi të kontratave afatgjata për blerjen e energjisë elektrike (PPA) dhe shitjes në treg. Sistemi i baterive do t’i mundësojë projektit që një pjesë të energjisë së prodhuar nga centrali solar të ruhet dhe të shitet në një moment tjetër.
Ndërtimi i projektit do të realizohet nga kompania turke Enkraft Energy, e cila do të jetë përgjegjëse për inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin (EPC). Për Enkraft, ky do të jetë projekti i parë në Serbi.
Projekti i ri është pjesë e zgjerimit të portofolit të Fortis Energy në Serbi. Kompania ka njoftuar së fundmi se edhe dy projekte të tjera solare në vend kanë arritur fazën e gatishmërisë për ndërtim, transmeton Energy Monitor.
Njëri prej tyre është projekti Nocaj, me kapacitet 270 MWp dhe sistem baterish prej 72 MWh, ndërsa projekti Green ka kapacitet 30 MWp. Të dy projektet së bashku pritet të prodhojnë më shumë se 368 GWh energji elektrike në vit.
Fortis Energy është aktive në disa tregje të Evropës Juglindore, përfshirë Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Kompania është e pranishme edhe në Shqipëri, ku ka nisur ndërtimin e një centrali solar prej 62 MW në Ersekë. Projekti përfshin edhe një sistem baterish me kapacitet rreth 25 MWh.



