Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka nisur një trajnim katërditor për institucionet lokale dhe operatorët industrialë në kuadër të përgatitjeve për krijimin e sistemit të Monitorimit, Raportimit, Verifikimit dhe Akreditimit (MRVA) të emetimeve në Kosovë.
Trajnimi synon t’i ndihmojë institucionet dhe kompanitë që do të përfshihen në sistem të kuptojnë kërkesat ligjore dhe institucionale, si dhe mënyrën e monitorimit dhe raportimit të emetimeve.
UNDP ka mbështetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në zhvillimin e legjislacionit, kapaciteteve institucionale dhe mjeteve teknike të nevojshme për krijimin e një sistemi të përgjegjshëm dhe funksional për menaxhimin e të dhënave mbi emetimet dhe forcimin e veprimeve për klimën.
Gjatë katër ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit do të punojnë përmes prezantimeve, shembujve praktikë dhe ushtrimeve të udhëzuara, përcjell Energy Monitor.
Në fokus janë kuptimi i kornizës ligjore dhe institucionale, rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe operatorëve, monitorimi dhe llogaritja e emetimeve, përgatitja dhe shqyrtimi i planeve të monitorimit, si dhe hartimi i raporteve vjetore për emetimet.
Trajnimi përfshin gjithashtu kërkesat që lidhen me verifikimin, akreditimin dhe inspektimin e të dhënave dhe raporteve mbi emetimet.
Krijimi i sistemit MRVA është një hap i rëndësishëm për ngritjen e një sistemi më të standardizuar të mbledhjes dhe kontrollit të të dhënave për emetimet në Kosovë. Për operatorët industrialë, kjo nënkupton kërkesa më të qarta për mënyrën se si emetimet maten, dokumentohen dhe raportohen.
Zhvillimi i këtij sistemi lidhet edhe me përafrimin gradual të Kosovës me standardet dhe kërkesat evropiane në fushën e klimës, emetimeve dhe raportimit mjedisor.



