Kosova ka arritur 31% progres në zbatimin e Planit të Veprimit për Lehtësimin e Transportit, sipas raportit të Komunitetit të Transportit për vitin 2025.
Plani përfshin masa për përmirësimin e kalimeve kufitare, lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe pasagjerëve, digjitalizimin e procedurave dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kufitare.
Në pjesën për kalimet rrugore kufitare, Kosova ka arritur 33% progres. Raporti veçon si zhvillim të rëndësishëm marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut dhe fillimin e kontrolleve të përbashkëta për automjetet e pasagjerëve në pikën kufitare Hani i Elezit–Bllacë në maj 2025, përcjell Energy Monitor.
Kontrollet e përbashkëta janë futur gjithashtu në pikën Glloboçicë–Jazhincë. Sipas Komisionit Evropian, këto sisteme “one-stop” synojnë të shmangin kontrollet e dyfishta dhe të përshpejtojnë kalimin në kufi.
Vetëm 11% progres në kalimet hekurudhore
Situata është dukshëm më e ngadaltë në transportin hekurudhor. Raporti e vlerëson Kosovën me 11% progres në përmirësimin e efikasitetit të kalimeve kufitare hekurudhore.
Raporti vëren se në vitin 2025 shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë bërë pak përparim në krijimin e kornizave ligjore për kontrolle të përbashkëta hekurudhore, funksionalizimin e stacioneve të përbashkëta dhe rikthimin e lidhjeve hekurudhore ndërkufitare.
Për Kosovën, kjo lidhet edhe me kufizimet aktuale të transportit hekurudhor. Komisioni Evropian ka theksuar se infrastruktura e dobët vazhdon të ndikojë në funksionimin e transportit hekurudhor, ndërsa Kosova duhet të avancojë edhe harmonizimin e legjislacionit me rregullat e BE-së.
Digjitalizimi dhe procedurat kufitare
Raporti përfshin edhe masa për digjitalizimin dhe shkëmbimin e të dhënave në transport. Kosova ka bërë hapa në këtë drejtim përmes përdorimit të sistemeve elektronike për shkëmbimin e informacionit dhe zgjerimit të “Green Lanes” në pikat kufitare.
Komisioni Evropian ka vlerësuar gjithashtu se Kosova ka hequr ose ulur disa tarifa për importuesit dhe eksportuesit në terminalet doganore të brendshme. Rreth 70% e zhdoganimeve kryhen në terminale publike, njofton Energy Monitor.
Në të njëjtën kohë, Komisioni kërkon forcimin e kapaciteteve administrative dhe zbatimin më të shpejtë të projekteve të infrastrukturës së transportit. Për Kosovën mbeten në fokus edhe mirëmbajtja e rrugëve, sistemi i menaxhimit të aseteve rrugore dhe zhvillimi i sistemeve inteligjente të transportit.
Në kuadër të programit Safe and Sustainable Transport 2.0, BE-ja ka vënë në dispozicion financim për modernizimin e 11 pikave prioritare kufitare në Ballkanin Perëndimor. Nevojat totale për këto pika vlerësohen në rreth 57 milionë euro, ndërsa përgatitja e projekteve dhe asistenca teknike janë pjesë e programit.
Me 31% zbatim të planit të përgjithshëm, Kosova ka avancuar në disa prej masave të transportit kufitar, veçanërisht në bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut, ndërsa raporti tregon se mbeten punë për digjitalizimin, infrastrukturën dhe veçanërisht lehtësimin e transportit hekurudhor ndërkufitar.



