Home / Lajme / Mjedisi / Samiti COP30: Brazili dëshiron që udhëheqësit botërorë të përballen drejtpërdrejt me krizën klimatike

Samiti COP30: Brazili dëshiron që udhëheqësit botërorë të përballen drejtpërdrejt me krizën klimatike

Samiti i radhës për klimën i Kombeve të Bashkuara, i njohur si COP30, do të mbahet këtë nëntor në qytetin brazilian të Belem, buzë Amazonës, duke vendosur për herë të parë në qendër të vëmendjes një vend të goditur nga varfëria, shpyllëzimi dhe sfidat infrastrukturore.

Vendimi për ta organizuar konferencën për klimën në Belem buzë Amazonës nuk është rastësor: udhëheqësit botërorë, diplomatët, shkencëtarët dhe aktivistët do të përballen drejtpërdrejt me realitetet e ashpra të krizës klimatike dhe pabarazisë globale.

Presidenti i emëruar i COP30, diplomati brazilian André Corrêa do Lago, tha se qëllimi është të nxitet ndërgjegjësimi mbi lidhjen e ngushtë midis qëndrueshmërisë mjedisore dhe drejtësisë sociale.

“Nuk mund ta fshehim faktin se jemi në një botë me shumë pabarazi”, deklaroi ai për Associated Press, duke nënvizuar rëndësinë e përballjes me sfidat reale të qyteteve dhe vendeve më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, organizimi në Belem ka ngritur shqetësime për kapacitetet pritëse. Me mbi 90,000 pjesëmarrës të parashikuar, vendi është përballur me mungesë akomodimi dhe çmime marramendëse.

Disa hotele kanë raportuar tarifa deri në 15,000 dollarë nata. Për të përballuar situatën, qeveria braziliane ka siguruar dy anije turistike me rreth 6,000 shtretër dhe ka nisur një program që u jep përparësi në rezervime 98 vendeve më të varfra.

Konferenca vjen në një moment kyç për veprimet globale ndaj krizës klimatike. Sipas marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, të gjitha vendet duhet të përditësojnë planet e tyre për reduktimin e emetimeve të gazrave serë këtë vit.

Deri tani, shumë vende janë me vonesë, ndërsa Kombet e Bashkuara kërkojnë që këto përditësime të dorëzohen brenda shtatorit, për t’u analizuar përpara se të mblidhet COP30.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka theksuar se planet duhet të përfshijnë të gjithë sektorët ekonomikë, të adresojnë të gjitha gazrat ndotës dhe të jenë në përputhje me qëllimin e kufizimit të ngrohjes globale në 1.5°C.

Por ekspertët dhe vetë do Lago paralajmërojnë se bota ndodhet shumë pranë tejkalimit të këtij pragu, çka e bën këtë konferencë vendimtare për të adresuar “hendekun e veprimit” që vazhdon të thellohet.

Ndërkohë, tema të rëndësishme si ndihma financiare për vendet në zhvillim dhe mbrojtja e natyrës, sidomos e Amazonës, nuk janë zyrtarisht në axhendë, por Brazili shpreson t’i shtyjë ato në qendër të debatit.

Pyjet tropikale të Amazonës, që dikur përthithnin sasi të mëdha të dioksidit të karbonit, në disa zona tashmë janë bërë burime të emetimeve për shkak të shpyllëzimit të pakontrolluar.

Në një zhvillim domethënës, Gjykata e Lartë e OKB-së vendosi së fundmi se një mjedis i pastër është një e drejtë themelore e njeriut, duke i dhënë kështu një bazë më të fortë juridike për kërkesat e vendeve dhe qytetarëve që kërkojnë veprim klimatik.

“Shpresojmë që ky COP të mbahet mend si konferenca e zgjidhjeve – një samit ku u pa që lufta ndaj krizës klimatike nuk është një barrë, por një mundësi për rritje dhe transformim,” përfundoi do Lago.