Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë vendeve evropiane të përdorin rezervat e tyre emergjente të naftës dhe produkteve të naftës, në përpjekje për të zbutur mungesën e karburanteve dhe çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka thënë se SHBA-ja pret që vendet evropiane të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për lirimin e rezervave. Presioni është përqendruar veçanërisht te Gjermania dhe Franca, të cilat kanë ndër rezervat më të mëdha të karburanteve në Evropë.
Kërkesa vjen pas vendimit të SHBA-së për t’u ofruar kompanive energjetike deri në 40 milionë fuçi naftë nga Rezerva Strategjike e Naftës amerikane. Ky është kësti i fundit i kontributit amerikan prej 172 milionë fuçish në marrëveshjen e koordinuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) për lirimin e rreth 400 milionë fuçive nga rezervat strategjike të vendeve anëtare, përcjell Energy Monitor.
Në mars, 32 vendet anëtare të IEA-së ranë dakord për lirimin më të madh kolektiv të rezervave në historinë e agjencisë, në përgjigje të ndërprerjeve të furnizimit të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme. Në Evropë, pjesa kryesore e kontributit është parashikuar të jetë në formën e produkteve të rafinuara, përfshirë dieselin.
Situata është përkeqësuar veçanërisht në tregun e dieselit. Sipas Reuters, administrata amerikane ka kërkuar nga Gjermania dhe Franca lirimin e rezervave emergjente të dieselit dhe ka lënë të hapur mundësinë e kufizimit të eksporteve amerikane të këtij karburanti nëse Evropa nuk ndërmerr masa.
Rezervat evropiane janë të përqendruara në një numër të vogël vendesh. Gjermania disponon rreth 5.6 milionë tonë, ndërsa Franca rreth 8.2 milionë tonë rezerva diesel dhe gasoil, së bashku rreth 35 për qind e rezervave emergjente të BE-së. Sipas rregullave evropiane, vendet duhet të mbajnë rezerva ekuivalente me të paktën 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm.
Presioni mbi tregun vjen në një kohë kur furnizimi global me naftë dhe produkte të rafinuara mbetet i kufizuar. IEA ka raportuar se prodhimi global i naftës ra në gusht, ndërsa mbi 10 milionë fuçi në ditë kapacitet prodhues në vendet e Gjirit mbetën të mbyllura për shkak të rreziqeve të sigurisë. Eksportet e dieselit dhe gasoil-it nga Gjiri ishin në gusht vetëm pak mbi një të katërtën e niveleve para konfliktit.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol, ka deklaruar se vendet anëtare mund të shqyrtojnë lirimin e mëtejshëm të rezervave strategjike nëse kushtet e tregut e kërkojnë. IEA thotë se deri tani është përdorur vetëm një pjesë e lirimit global prej 400 milionë fuçish të miratuar në mars.
Për Evropën, përdorimi i rezervave paraqet një mënyrë për të shtuar furnizimin në treg në një periudhë të mungesës së dieselit, por njëkohësisht redukton rezervat që mund të përdoren në rast të ndërprerjeve të reja të furnizimit gjatë dimrit.



