Home / Lajme / Mjedisi / Asbesti, rrezik për shëndetin

Asbesti, rrezik për shëndetin

Ekspozimi ndaj asbestit mbetet një problem i nënvlerësuar në Kosovë, thonë profesionistë shëndetësorë. Në Prishtinë janë vlerësuar mbi 220 mijë metra katrorë materiale që përmbajnë asbest, ndërsa një nga zonat me praninë më të madhe është lagjja Ulpiana. Përveç largimit të materialeve të rrezikshme, problem mbetet edhe mungesa e një deponie për trajtimin e tyre.

Ekspozimi ndaj asbestit është një prej problemeve më të nënvlerësuara në Kosovë, thonë profesionistë shëndetësorë. Sipas pulmologut Besim Morina, shpesh flitet për ndotjen e ajrit dhe të ujit, por asbesti nuk merret sa duhet parasysh.

“Dëmi kryesor i azbestit në mushkëri është një sëmundje që ne e quajmë azbestozë. Azbestoza është një problem që, për shkak të ekspozimit afatgjatë ndaj azbestit, nuk do të thotë që shfaqet menjëherë, por pas shumë vitesh shfaqen probleme në mushkëri”, thotë Morina.

Në komunën e Prishtinës ka ende prani të asbestit në zonën urbane dhe në zona të tjera. Përveç largimit të këtyre materialeve të rrezikshme, problematikë mbetet edhe deponimi i tyre. Zyrtarë të komunës theksojnë mungesën e një deponie për materialet e rrezikshme.

“Kemi kompani që janë të licencuara për trajtimin e tyre, por mungon një deponi jo vetëm për azbestin, po për të gjitha materialet e rrezikshme””, thotë Lulzim Fushtica, drejtor për siguri dhe emergjenca

Mbi 220 mijë metra katrorë azbest është vlerësuar se gjenden në të gjithë zonën urbane të kryeqytetit, sipas prezantimit të raportit të inventarizimit të azbestit dhe materialeve me përmbajtje azbesti në qytetin e Prishtinës. Njëra nga lagjet ku vlerësohet se ka më së shumti azbest në kryeqytet është Ulpiana.

/rtklive.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com