Home / Lajme / Mjedisi / Kamenica drejt finalizimit të Planit të mobilitetit të qëndrueshëm urban

Kamenica drejt finalizimit të Planit të mobilitetit të qëndrueshëm urban

Kamenica është drejt finalizimit të Planit të mobilitetit të qëndrueshëm urban, dokument strategjik që synon të përcaktojë mënyrën e zhvillimit të lëvizshmërisë në komunë për dhjetë vitet e ardhshme.

Në një punëtori dyditore, grupi punues shumëdisiplinor i Komunës së Kamenicës, me mbështetjen e UN-Habitat Kosovës dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES), ka punuar në versionin përfundimtar të planit.

Gjatë punëtorisë është shqyrtuar analiza e gjendjes aktuale të mobilitetit, ndërsa janë rishikuar vizioni, qëllimet dhe objektivat e planit, si dhe masat për zbatimin e tij. Pjesë e diskutimeve ishte edhe plani i veprimit, i cili është përshtatur me kornizën afatmesme buxhetore të komunës, njofton Energy monitor.

Plani mbështetet në Planin Zhvillimor Komunal dhe synon të ndërlidhet me strategjitë e tjera lokale. Në qendër të tij është koncepti i një qyteti aktiv, ku ecja dhe çiklizmi do të kenë rol më të madh në lëvizjen e banorëve.

Dokumenti përfshin gjithashtu masa për zhvillimin e transportit publik urban, menaxhimin e parkingjeve, mbrojtjen e mjedisit dhe rregullimin e lëvizjeve të transportit dhe logjistikës, përcjell Energy monitor.

Masat e përcaktuara në plan do të monitorohen dhe përditësohen përmes një baze të të dhënave, me synimin që të krijohet një sistem më i qëndrueshëm dhe më i organizuar i mobilitetit në Kamenicë gjatë periudhës dhjetëvjeçare.

UN-Habitat ka zhvilluar udhëzime të posaçme për planifikimin e mobilitetit të qëndrueshëm urban në qytetet e Kosovës, duke e trajtuar këtë qasje si një instrument për përmirësimin e qasjes në transport, cilësisë së jetës, sigurisë rrugore dhe cilësisë së mjedisit.

Në Kosovë, planet e tilla synojnë të ndërlidhin planifikimin urban me nevojat e transportit, lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, si dhe investimet në infrastrukturë dhe shërbime të mobilitetit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com