Home / Lajme / Mjedisi / Në Prishtinë mbahet Forumi i parë i Shkencës për Klimën në Kosovë

Në Prishtinë mbahet Forumi i parë i Shkencës për Klimën në Kosovë

Në Prishtinë ka nisur Forumi i parë i Shkencës për Klimën në Kosovë, ku përfaqësues të akademisë, institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë, politikëbërës dhe ekspertë po diskutojnë mënyrën se si shkenca dhe të dhënat klimatike mund të përdoren për veprime më efektive ndaj ndryshimeve klimatike.

Dita e parë e forumit përfshiu fjalime hyrëse, prezantime nga ekspertë dhe një panel diskutimi mbi nevojën për forcimin e shkencës klimatike në Kosovë, transmeton Energy monitor.

Organizatorët theksuan rëndësinë e lidhjes më të mirë mes kërkimit shkencor, politikave publike dhe zbatimit në praktikë, ndërsa gjatë tri ditëve të forumit pjesëmarrësit do të shkëmbejnë njohuri dhe përvoja dhe do të trajtojnë sfidat kryesore klimatike me të cilat përballet vendi.

Forumi është organizuar në emër të Qeverisë së Gjermanisë nga GIZ Kosova, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Universitetin e Prishtinës.

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli Dalipi, tha se Kosova e ka ndërtuar tashmë kuadrin e saj klimatik, por se sfida tani është shndërrimi i tij në veprime dhe rezultate konkrete.

“Për këtë na duhen të dhëna të besueshme, ekspertizë shkencore, bashkëpunim me akademinë dhe angazhim i ekspertëve tanë në Kosovë e diasporë”, tha Pacolli.

Sipas saj, shkenca duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes dhe bazë e politikave klimatike të Kosovës, shkruan Energy monitor.

Forumi synon kështu të krijojë një hapësirë më të qëndrueshme për bashkëpunimin mes komunitetit shkencor, institucioneve dhe praktikës, me qëllim që njohuritë dhe dëshmitë shkencore të përdoren më drejtpërdrejt në hartimin dhe zbatimin e politikave për klimën.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com