Home / Lajme / Efiçiencë / Më pak se 3 për qind e aplikimeve në skemat e efiçiencës së FKEE-së erdhën nga gra

Më pak se 3 për qind e aplikimeve në skemat e efiçiencës së FKEE-së erdhën nga gra

Më pak se 3 për qind e aplikimeve në thirrjet e FKEE për shtëpitë individuale kanë ardhur nga gra pronare të shtëpive, ndërsa pjesëmarrja e familjeve nga komunitetet jo-shumicë ishte më e ulët se 1 për qind.

Të dhënat u prezantuan nga Balkan Green Foundation gjatë lansimit të një studimi për mënyrën se si programet e efiçiencës së energjisë mund të arrijnë më mirë te familjet e cenueshme në Kosovë, përcjell Energy Monitor.

Sipas fondacionit, një pjesë e familjeve nuk informohen fare për thirrjet, ndërsa të tjera përballen me vështirësi për të siguruar dokumentet e kërkuara në aplikim ose nuk kanë mundësi të mbulojnë pjesën e kostos që duhet ta paguajnë vetë.

Pengesat nisin para aplikimit

Studimi vlerëson se problemet nuk lidhen vetëm me kriteret e përzgjedhjes, por edhe me mënyrën se si programet dizajnohen dhe komunikohen.

Kur cenueshmëria merret parasysh vetëm pasi programi është hartuar, kriteret e pranueshmërisë, informimi dhe procesi i aplikimit mund të favorizojnë familjet që kanë më shumë kohë, dokumentacionin e nevojshëm dhe mundësi financiare për të aplikuar.

Në diskutimin për studimin morën pjesë FKEE, komuna, institucione dhe profesionistë të sektorit, ndërsa pjesëmarrësve iu kërkua të identifikojnë edhe një veprim konkret që mund të ndërmerret për përmirësimin e programeve, përcjell Energy Monitor.

Sipas Balkan Green Foundation, propozimet u përqendruan në informimin më të drejtpërdrejtë të familjeve, koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve dhe ofrimin e mbështetjes praktike gjatë gjithë procesit të aplikimit.

Studimi është realizuar me mbështetjen e projektit “Energy Transition and Climate Mitigation in Kosovo”, të financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe të zbatuar nga LuxDev, Agjencia e Bashkëpunimit për Zhvillim të Luksemburgut.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com