Konjufca ka kërkuar veprim të vendosur nga institucionet evropiane për zbatimin e detyrimeve ekzistuese, duke thënë se këto pengesa cenojnë sigurinë energjetike në rajon
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka ngritur shqetësimin për pengesat që, sipas tij, Serbia po i shkakton shkëmbimeve të energjisë elektrike me Kosovën, pavarësisht skadimit të afatit të përcaktuar nga Komuniteti i Energjisë.
Konjufca ka kërkuar veprim të vendosur nga institucionet evropiane për zbatimin e detyrimeve ekzistuese, duke thënë se këto pengesa cenojnë sigurinë energjetike në rajon.
Ai i bëri këto deklarata në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin VIII, e cila u mbajt në Sofje dhe u organizua nga ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Chamova.
Në këtë konferencë, Konjufca theksoi edhe rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në rrjetet rajonale të transportit.
Sipas tij, investimet në Linjën Hekurudhore 10 dhe projekti i planifikuar për hekurudhën Prishtinë–Durrës do të kontribuojnë në forcimin e ndërlidhjes rajonale, diversifikimin e rrugëve të transportit dhe sigurinë euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Konjufca tha se ndërlidhja rajonale nuk duhet të shihet vetëm si domosdoshmëri ekonomike, por edhe si një element strategjik për sigurinë dhe qëndrueshmërinë evropiane.



