Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe GIZ-i kanë mbajtur një punëtori dyditore për finalizimin e dokumentacionit për dy programe pilot që synojnë financimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme në ndërtesat shumëbanesore dhe ato publike në Kosovë.
Gjatë punëtorisë, ekspertët e FKEE-së dhe përfaqësuesit e GIZ-it kanë punuar në përcaktimin e mëtejshëm të kritereve të pranueshmërisë dhe procedurave të aplikimit, në përgatitje të hapjes së thirrjeve publike, përcjell Energy Monitor.
Njëri program do të mbështesë masat e efiçiencës së energjisë dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme në ndërtesat shumëbanesore, ndërsa programi tjetër do të fokusohet në instalimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme në ndërtesat publike.
Modele të reja të bashkëfinancimit
Në kuadër të projektit, investimet pilot do të realizohen në ndërtesa të përzgjedhura, me synim përmirësimin e performancës energjetike dhe rritjen e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme për vetëkonsum.
Projekti parasheh edhe zhvillimin e modeleve të reja të bashkëfinancimit, duke kombinuar grantet, kontributin e përfituesve dhe mekanizmat ekzistues të financimit të FKEE-së. Këto modele synojnë të krijojnë një bazë të qëndrueshme për zgjerimin e investimeve në sektorin rezidencial dhe atë publik.
Projekti mbështetet nga qeveritë e Gjermanisë dhe Danimarkës përmes GIZ-it.
Zhvillimi i programeve të reja është pjesë e përpjekjeve për të zgjeruar mekanizmat e financimit të investimeve në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme në Kosovë.



