Home / Lajme / Kosova / ZRRE vazhdon licencat për Kosovën A dhe B deri në gusht 2028, miraton 53 autorizime për vetëkonsum

ZRRE vazhdon licencat për Kosovën A dhe B deri në gusht 2028, miraton 53 autorizime për vetëkonsum

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar vazhdimin e licencave për termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, duke u mundësuar të dy kapaciteteve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të vazhdojnë aktivitetet e tyre të licencuara deri më 17 gusht 2028.

Vendimi u mor vetëm pak ditë pas përzgjedhjes së kryesuesit të ri të bordit dhe në seancën e dhjetë të Bordit për vitin 2026, të mbajtur më 9 tetor, përcjell Energy Monitor.

Sipas njoftimit të ZRRE-së, licenca e “Kosova A” mbulon aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa ajo e “Kosova B” aktivitetin e bashkëprodhimit të energjisë elektrike dhe termike. Të dyja licencat kanë afat vlefshmërie nga 9 tetori 2026 deri më 17 gusht 2028.

Vazhdimi i licencave vjen pas shqetësimeve të ngritura më herët për rrezikun që skadimi i tyre mund të paraqiste për vazhdimësinë e prodhimit vendor të energjisë, në rast se Bordi i ZRRE-së nuk do të ishte funksional për të marrë vendime.

Në të njëjtën seancë, Bordi miratoi edhe 53 aplikacione për autorizim për vetëkonsum, prej të cilave 46 i përkasin personave fizikë dhe shtatë personave juridikë. Kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i këtyre sistemeve arrin në 816 kilovatë (kW).

Autorizimet për vetëkonsum u mundësojnë familjeve dhe bizneseve të prodhojnë energji elektrike për nevojat e tyre, kryesisht përmes sistemeve fotovoltaike. Ky segment ka vazhduar të zgjerohet në Kosovë, ndërsa vendimet e rregullatorit po shtojnë gradualisht kapacitetet e decentralizuara të prodhimit.

Në hapje të seancës, kryesuesi i ri i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, falënderoi anëtarët e mëparshëm dhe aktualë të Bordit, stafin e Zyrës dhe përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin e deritanishëm. Ai shprehu përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit në përmbushjen e mandatit dhe objektivave të rregullatorit.

ZRRE bëri të ditur se vendimet e plota të Bordit do të publikohen në faqen e saj zyrtare.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com