Home / Lajme / Kosova / Driton Gojani zgjidhet kryesues i Bordit të ZRRE-së

Driton Gojani zgjidhet kryesues i Bordit të ZRRE-së

Driton Gojani është zgjedhur kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), me mandat pesëvjeçar.

Në votimin e zhvilluar të hënën në Kuvendin e Kosovës, Gojani mori 62 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, Ymer Fejzullahu, mori shtatë vota. Në votim morën pjesë 69 deputetë.

Gojani do ta pasojë Fejullahun në krye të ZRRE-së, pozitë të cilën ky i fundit e ushtronte deri tani, përcjell Energy Monitor.

Kuvendi votoi sot edhe për anëtaren e Bordit. Lutfije Dervishi u zgjodh anëtare e Bordit të ZRRE-së, ndërsa për pozitën e anëtarit tjetër pritet të shpallet konkurs i ri.

Zgjedhja e drejtuesve të rinj të ZRRE-së vjen pas një periudhe kur Bordi kishte mbetur pa kuorum për vendimmarrje. Mandatet e tre anëtarëve të mëparshëm përfunduan në fillim të gushtit, duke pamundësuar marrjen e vendimeve që kërkojnë kuorumin e Bordit, përcjell Energy Monitor.

Mungesa e kuorumit kishte prekur edhe vendimmarrjen për çështje të rëndësishme të sektorit energjetik, përfshirë licencimin, autorizimet për kapacitete të reja të gjenerimit dhe vendimet tarifore.

Procesi i zgjedhjes së Bordit ishte shoqëruar me debat në Kuvend. Opozita kishte kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të propozuar nga Qeveria, duke ngritur çështjen e mospërputhjes mes renditjes së kandidatëve sipas pikëve të komisionit vlerësues dhe emrave të propozuar për votim.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbrojtur procedurën, duke thënë se Qeveria ka kompetencë për përzgjedhjen e kandidatëve nga lista e atyre që janë vlerësuar si të emërueshëm.

Me zgjedhjen e Gojanit si kryesues dhe Dervishit si anëtare, procesi i rikthimit të Bordit të ZRRE-së në funksionalitet është avancuar, ndërsa pozita e anëtarit të tretë do të plotësohet përmes një konkursi të ri.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com