Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pritur një delegacion të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), me të cilin ka diskutuar ecurinë e projekteve energjetike të financuara përmes marrëveshjeve të kredisë dhe mundësitë për bashkëpunim në investime të reja.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në takim është diskutuar veçanërisht për projektet e ngrohjes qendrore dhe energjinë e ripërtëritshme, si dhe për avancimin e projekteve që tashmë janë në zbatim. Përfaqësuesit e bankës kanë rikonfirmuar gatishmërinë për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e projekteve të reja dhe në përparimin e procedurave për disbursimin e kredive.
Bashkëpunimi me BEI-në përfshin disa fusha të infrastrukturës dhe tranzicionit energjetik në Kosovë. Në një intervistë për Energy Monitor në prill, Kristina Kanapinskaite nga banka kishte thënë se BEI-ja kishte mundësuar financimin e dhjetë projekteve në Kosovë, me investime që afrohen në 400 milionë euro, përfshirë sektorin e energjisë, transportin, furnizimin me ujë dhe shërbimet sanitare, përcjell Energy Monitor.
Zgjerimi i ngrohjes qendrore është një nga fushat ku investimet mund të ndikojnë drejtpërdrejt në konsumin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë dimrit, kur përdorimi i pajisjeve elektrike për ngrohje rrit kërkesën. Në të njëjtën kohë, projektet e energjisë së ripërtëritshme synojnë të diversifikojnë burimet vendore të prodhimit dhe të forcojnë sigurinë e furnizimit.
Ministria nuk ka bërë të ditura detaje të reja për vlerën e kredive, projektet specifike që janë diskutuar apo afatet e pritshme të disbursimit. Takimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe bankës evropiane për financimin e investimeve strategjike në sektorin energjetik.



