Home / Lajme / Kosova / Bordi i ZRrE-së paralajmëron shqyrtimin e tarifave të shkyçjes dhe rikyçjes në rrjetin elektrik

Bordi i ZRrE-së paralajmëron shqyrtimin e tarifave të shkyçjes dhe rikyçjes në rrjetin elektrik

Bordi i ri i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pritet ta shqyrtojë rregulloren për tarifat e shkyçjes dhe rikyçjes së konsumatorëve në rrjetin elektrik, pas një hulumtimi nga Buletini Ekonomik, rreth mungesës së një analize të veçantë dhe të dokumentuar për kostot reale të këtyre shërbimeve.

Sipas gjetjeve nga hulumtimi, ZRrE doli se nuk e posedonte një analizë sesi kishte ardhur deri te përcaktimi i lartësisë së këtyre tarifave me një kosto totale prej 35.40 euro.

Përkundër kësaj, në një përgjigje të mëhershme për mediumin, ZRrE pati thënë se tarifa “arsyeton koston e shërbimit për operatorin”.

Pasi doli se mungon një analizë e tillë, Bordi i ri i ZRrE-së ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë rregulloren “në kuadër të prioriteteve”, duke dhënë sinjale për ndryshimin e saj.

“Bordi i ZRrE-së, në bashkëpunim me stafin profesional, do ta shqyrtojë atë në kuadër të prioriteteve dhe agjendës së punës së institucionit”, thuhet në përgjigjen e Rregullatorit.

Sado që ZRrE konfirmoi sërish se nuk disponon një analizë të veçantë, të dokumentuar me shkrim, për kostot e shkyçjes dhe rikyçjes së konsumatorëve në rrjetin elektrik, ata megjithatë, kanë kundërshtuar interpretimin se kjo nënkupton domosdoshmërisht që tarifat janë përcaktuar pa u mbështetur në vlerësimin e kostove përkatëse.

“Është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet mungesës së një analize të veçantë të dokumentuar në formë të shkruar dhe përfundimit se tarifa është përcaktuar pa u mbështetur në vlerësimin e kostove përkatëse”, thuhet në përgjigjet e ZRrE-së.

Sipas Rregullatorit, fakti që aktualisht nuk disponon një dokument të veçantë analitik nuk nënkupton domosdoshmërisht se, gjatë hartimit dhe miratimit të Rregullës për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve në Sektorin e Energjisë, në vitin 2017, nuk janë shqyrtuar kostot që operatori i bart për realizimin e këtyre shërbimeve.

Për këtë arsye, ZRrE-ja vlerëson se përshkrimi se tarifat janë përcaktuar pa asnjë analizë të kostove, si tarifa paushall, nuk e pasqyron plotësisht përmbajtjen dhe kuptimin e përgjigjes së saj zyrtare.

Megjithatë, në përgjigjen e re, Rregullatori nuk ka paraqitur sërish një analizë konkrete apo dokument të shkruar që do të tregonte se si janë llogaritur shumat që u ngarkohen konsumatorëve për shkyçje dhe rikyçje.

Ndryshe, nga 1 shtatori i këtij viti, konsumatorët shtëpiakë në Kosovë paguajnë 17.70 euro për shkyçje dhe 17.70 euro për rikyçje në rrjetin elektrik. Kostoja e të dy shërbimeve arrin në 35.40 euro, përfshirë TVSH-në, pa llogaritur borxhin e papaguar të energjisë elektrike.

Kjo do të thotë se një konsumator që shkyçet për shkak të mospagesës së faturës duhet fillimisht ta shlyejë borxhin e akumuluar dhe më pas të paguajë edhe tarifat e shkyçjes dhe rikyçjes për t’u rikthyer në rrjet.

Ndërsa tani, mbetet të shihet nëse shqyrtimi i paralajmëruar nga Bordi i ZRrE-së do të çojë në ulje të këtyre tarifave për kosnumatorët. /Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com