Rreth 400 mijë pemë mund të jenë prerë në dy zona të Finlandës veriore për ndërtimin e qendrave të të dhënave të Google, duke shkaktuar reagime nga banorët dhe organizatat mjedisore. Autoritetet finlandeze kanë urdhëruar pezullimin e përkohshëm të punimeve në dy kantierë, pasi vlerësimet e kërkuara të ndikimit në mjedis nuk ishin përfunduar para ndërhyrjeve në terren.
Sipas një investigimi të publikuar nga gazeta britanike “The Guardian”, në Muhos, pranë qytetit Oulu, janë prerë rreth 250 mijë pemë në një zonë pyjore prej 330 hektarësh. Terreni është pastruar nga bimësia, duke lënë pas sipërfaqe me baltë, rrënjë dhe mbetje drurësh. Zona ndodhet rreth 400 metra larg lumit Oulujoki.
Shqetësimet nuk lidhen vetëm me humbjen e pyllit. Banorët kanë raportuar rrjedhjen e ujërave me ngjyrë kafe nga kantieri drejt një përroi që derdhet në lumin Oulujoki. Organizatat mjedisore paralajmërojnë gjithashtu për shkatërrimin e habitateve natyrore dhe largimin e kafshëve të egra nga zona.
Një situatë e ngjashme është raportuar në Otanmäki, pranë Kajaanit, ku vlerësohet se janë prerë rreth 150 mijë pemë të tjera. Nëse këto shifra konfirmohen, numri i përgjithshëm i pemëve të prera në të dyja zonat arrin në rreth 400 mijë.
Autoriteti finlandez përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të punimeve në të dy kantierët, për shkak të moskryerjes në kohë të vlerësimeve të nevojshme të ndikimit në mjedis. Rasti ka nxitur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë zbatuar procedurat mjedisore përpara nisjes së punimeve.
Projektet janë pjesë e investimit prej 13 miliardë eurosh që Google ka planifikuar për infrastrukturën e qendrave të të dhënave në Finlandë. Klima e ftohtë, hapësirat e disponueshme dhe furnizimi me energji me emetime të ulëta e kanë bërë vendin nordik një destinacion tërheqës për këtë lloj infrastrukture, kërkesa për të cilën po rritet me zgjerimin e inteligjencës artificiale.
Megjithatë, investimet kanë hapur debat për ndikimin e tyre në natyrë dhe përfitimet që u sjellin komuniteteve vendase. Kritikët vënë në pikëpyetje nëse përfitimet ekonomike justifikojnë humbjen e sipërfaqeve pyjore dhe presionin mbi burimet natyrore, veçanërisht kur një pjesë e madhe e kapaciteteve energjetike përdoret për të mbështetur aktivitetin e kompanive ndërkombëtare.
Hanna Halmeenpää, kryetare e bordit të Shoqatës Finlandeze për Ruajtjen e Natyrës, e ka cilësuar rastin si shfaqje arrogance. Ajo tha se fillimisht e kishte pasur të vështirë të besonte se një kompani mund të vepronte në këtë mënyrë në Finlandë, duke argumentuar se Google kishte përfituar nga besimi që mbështet sistemin dhe institucionet e vendit.
Ndërkohë, më shumë se 93 mijë persona kanë nënshkruar një peticion që kërkon rregulla më të rrepta për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe kompensim për komunitetet e prekura nga dëmet mjedisore.
Google ka kërkuar falje për situatën. Drejtuesi i kompanisë në Finlandë, Antti Järvinen, tha se vendimet ishin marrë në bazë të interpretimit që kompania kishte bërë të legjislacionit në fuqi në atë kohë. Kompania është zotuar të bashkëpunojë me autoritetet dhe ka njoftuar planet për të mbjellë pemë në një sipërfaqe prej 130 hektarësh në Muhos.
Megjithatë, mbrojtësit e mjedisit vlerësojnë se ripyllëzimi i planifikuar nuk e kompenson plotësisht humbjen e pyllit ekzistues, pasi rikrijimi i habitateve natyrore dhe i funksioneve ekologjike të një pylli të pjekur mund të kërkojë dekada.



