Kosova ka shënuar rritjen mesatare vjetore më të lartë ekonomike në mesin e nëntë ekonomive të Evropës Juglindore gjatë periudhës 2012–2025, me 4,1 për qind, sipas një raporti të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw).
Sipas analizës së ekonomistit Branimir Jovanoviq, pas Kosovës renditet Shqipëria me rritje mesatare vjetore prej 3 për qind, Mali i Zi me 2,9 për qind dhe Rumania me 2,8 për qind. Bosnjë e Hercegovina regjistroi rritje prej 2,6 për qind, Kroacia 2,5 për qind, ndërsa Serbia dhe Bullgaria nga 2,4 për qind. Maqedonia e Veriut renditet e fundit, me 2,3 për qind.
Krahasimi është pjesë e raportit të wiiw-së, të titulluar “Ekonomia e Serbisë nën Vuçiqin: Larg të qenit mrekulli”, i cili analizon performancën ekonomike të Serbisë nën qeverisjen e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në pushtet që nga viti 2012, përcjell Energy Monitor.
Sipas raportit, ekonomia serbe u rrit mesatarisht me 2,4 për qind në vit gjatë periudhës 2012–2025, krahasuar me 4,2 për qind në periudhën 2001–2011. Autori vlerëson se rezultatet nuk e mbështesin pretendimin se Serbia është një prej kampionëve ekonomikë të rajonit.
Megjithëse papunësia në Serbi ka rënë dhe pagat janë rritur, raporti vëren se punësimi ka ngecur që nga viti 2019, ndërsa rritja e kostos së jetesës, thellimi i pabarazisë dhe rënia e shpenzimeve për mbrojtjen sociale kanë zbehur përfitimet ekonomike. Investimet e huaja direkte kanë përbërë mesatarisht 5,7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vit gjatë periudhës 2012–2025, kundrejt 6,1 për qind në periudhën 2001–2011, njofton Energy Monitor.
Raporti kritikon gjithashtu përqendrimin e investimeve publike në ndërtimin e autostradave, ndërsa infrastruktura hekurudhore, kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike dhe qasja në ujësjellës e kanalizime kanë mbetur prapa mesatares së Bashkimit Evropian.
Gjetjet e raportit e vendosin Kosovën në krye të rajonit për rritjen mesatare ekonomike gjatë periudhës së shqyrtuar, ndonëse kjo shifër, e vetme, nuk paraqet një vlerësim të plotë të mirëqenies, produktivitetit apo nivelit të zhvillimit të ekonomisë.



