Home / Lajme / Rajoni / Kroacia ia shet Serbisë pjesën e linjës së interkoneksionit energjetik për 125 mijë euro

Kroacia ia shet Serbisë pjesën e linjës së interkoneksionit energjetik për 125 mijë euro

Operatori kroat i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, HOPS, ia ka shitur operatorit serb EMS pjesën e linjës së interkoneksionit 110 kV Nijemci–Shid që ndodhet në territorin e Serbisë, për rreth 125 mijë euro. Marrëveshja zgjidh një mosmarrëveshje pronësore disa dekadëshe që kishte penguar riparimin e plotë të linjës ndërkufitare.

Sipas marrëveshjes, secili operator do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen, riparimet dhe investimet në pjesën e infrastrukturës që ndodhet në territorin e vendit të vet. Kjo heq pengesën ligjore që e kishte pamundësuar HOPS-in të ndërhynte në pjesën serbe të linjës.

Çështja u bë veçanërisht urgjente pas stuhive të fuqishme të korrikut 2023, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në të dyja anët e kufirit. Më shumë se 35 për qind e pjesës kroate, me gjatësi 12.66 kilometra, u shkatërrua ose u dëmtua rëndë. Në anën serbe, dëme të konsiderueshme pësuan mbi 40 për qind e segmentit prej rreth 12.5 kilometrash.

HOPS-i i riparoi dëmet në territorin kroat gjatë vitit 2023 dhe në fillim të vitit 2024, duke shpenzuar mbi 950 mijë euro. Megjithatë, nuk mundi të kryente rindërtimin në Serbi, pasi nuk kishte autorizimin e nevojshëm ligjor për të ndërhyrë në atë pjesë të infrastrukturës, përcjell Energy Monitor.

Linja u ndërtua në vitin 1976, në kohën e Jugosllavisë. Pas shpërbërjes së vendit, HOPS-i mbeti pronar i të gjithë linjës, përfshirë segmentin që ndodhet në territorin serb.

Për ta zgjidhur çështjen, HOPS-i propozoi në gusht të vitit 2023 transferimin e aseteve në Serbi te operatori EMS. Megjithëse vlera e tyre neto kontabël ishte zero për shkak të vjetërsisë së infrastrukturës, dy vlerësime të pavarura e përcaktuan vlerën e tregut në 120 mijë deri në 129 mijë euro. Kompanitë u pajtuan për çmimin prej 125 mijë eurosh dhe nënshkruan kontratën e shitblerjes në nëntor 2023.

Sipas vlerësimit të Qeverisë kroate, transaksioni i ka sjellë HOPS-it përfitime financiare që tejkalojnë një milion euro. Përveç të hyrave nga shitja, operatori ka shmangur rreth 900 mijë euro shpenzime të rindërtimit të segmentit në Serbi.

Marrëveshja iu nënshtrua edhe shqyrtimit juridik për shkak të çështjeve të pazgjidhura të demarkacionit kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë vlerësoi se transferimi i pronësisë nuk paragjykon negociatat e ardhshme për kufirin, pasi kontrata ruan shprehimisht qëndrimet e të dyja vendeve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com