Një person është gjobitur me 1,000 euro për hapjen ilegale të një rruge në Bjeshkën e Lybeniqit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli.
Sipas njoftimit të saj, pas informacioneve për ndërtimin e rrugës ilegale, zyrtarët e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në bashkëpunim me Policinë, kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Ndaj punëkryesit është përpiluar procesverbal dhe është shqiptuar gjobë mandatore në vlerë prej 1,000 eurosh.
Pacolli ka bërë të ditur se ky është rasti i dytë i evidentuar në të njëjtin lokacion.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria, ndërsa do të ndërmerren hapa të mëtejshëm ligjorë.
“Nuk do të lejojmë ndërhyrje të tilla që dëmtojnë natyrën. Bjeshkët tona do t’i mbrojmë me çdo mekanizëm ligjor!”, ka shkruar Pacolli.



