Home / Lajme / Mjedisi / Mal i Zi: Kërkohet pezullimi i punimeve për hidrocentralet në Vukël

Mal i Zi: Kërkohet pezullimi i punimeve për hidrocentralet në Vukël

OJQ “Trofta” nga Mali i Zi ka kërkuar pezullimin e punimeve për tri hidrocentrale të planifikuara në zonën e Vuklit, në Shqipëri, duke paralajmëruar për ndikimin e mundshëm në lumin Cem dhe biodiversitetin e tij. Organizata kërkon që ndikimi i projekteve të vlerësohet në tërësi, përfshirë pasojat ndërkufitare në territorin e Malit të Zi.

Projektet janë pjesë e hidrocentralit “Ura e Tamarës” dhe përfshijnë Kozhnjë 1, me kapacitet 1.9 megavat, Kozhnjë 2, me 1 megavat, dhe hidrocentralin Tamara, me 12.088 megavat. Së bashku, ato parashikojnë kapacitet të instaluar prej rreth 15 megavatësh.

Në një intervistë për gazetën “Koha javore”, përfaqësuesi i OJQ-së “Trofta”, E. Kajoshaj, ka thënë se shqetësimi kryesor lidhet me devijimin e ujit, ndryshimin e regjimit hidrologjik dhe dëmtimin e habitateve ujore. Sipas tij, ndikimi i tri hidrocentraleve duhet të shqyrtohet në mënyrë kumulative dhe jo vetëm për secilin projekt veçmas, përcjell Energy Monitor.

Kajoshaj ka paralajmëruar veçanërisht për rrezikun ndaj troftës së mermertë, specie që, sipas tij, varet nga ruajtja e prurjeve të mjaftueshme, cilësia e ujit dhe vazhdimësia e habitateve.

Si një nga shqetësimet kryesore, ai ka përmendur të dhënat e raportuara nga Citizens.al më 24 prill 2026, sipas të cilave projekti parashikon devijimin e rreth 14.4 metrave kub ujë në sekondë, duke lënë më pak se dy metra kub në sekondë si prurje ekologjike. Kajoshaj ka theksuar se këto shifra duhet të verifikohen kundrejt dokumentacionit teknik dhe kushteve përfundimtare të lejeve.

“Trofta” thotë se më 29 janar 2025 i ishte drejtuar Zyrës së Presidentit të Malit të Zi, duke kërkuar ndihmë institucionale për mbrojtjen e lumit Cem, i njohur në Mal të Zi edhe si Cijevna. Sipas Kajoshajt, Zyra e Presidentit e kishte përcjellë ankesën te Ministria e Ekologjisë për trajtim.

Megjithatë, ai ka bërë dallimin mes përcjelljes administrative të ankesës dhe marrjes së masave konkrete, duke thënë se organizata nuk ka informacion që punimet janë ndalur apo që është vendosur ndonjë masë mbrojtëse në terren.

Nga institucionet malazeze, “Trofta” kërkon që Ministria e Ekologjisë ta trajtojë zyrtarisht çështjen, të kërkojë sqarime nga autoritetet shqiptare dhe të aktivizojë mekanizmat e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit. Organizata kërkon gjithashtu që të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë Komisionin Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE).

Ndërsa nga institucionet shqiptare kërkon pezullimin e punimeve deri në një shqyrtim të plotë dhe të pavarur të ndikimit mjedisor, publikimin e lejeve dhe studimeve përkatëse, si dhe vlerësimin e ndikimit të përbashkët të tri hidrocentraleve. Organizata kërkon edhe përfshirjen e banorëve të Vuklit në proceset e konsultimit publik.

Kajoshaj ka thënë se “Trofta” nuk është kundër prodhimit të energjisë së ripërtëritshme në parim, por kundërshton projektet që, sipas saj, mund të dëmtojnë ekosisteme të pazëvendësueshme. Ai ka paralajmëruar se organizata do të vazhdojë komunikimin me institucionet, dokumentimin e gjendjes në terren dhe shqyrtimin e mundësive për angazhim përmes mekanizmave ligjorë e ndërkombëtarë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com