Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), përmes një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoreshës menaxhuese të Fondit, Njomza Hoxha.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, marrëveshja parasheh transferimin e mjeteve në vlerë prej 1 milion eurosh në mbështetje të veprimtarisë së Fondit dhe avancimit të objektivave të tij në fushën e efiçiencës së energjisë.
Me këtë ndarje, vlera e mjeteve që Qeveria e Kosovës ka ndarë për Fondin që nga viti 2019 arrin në gjithsej 10 milionë euro, bëri të ditur Ministria e Ekonomisë, përcjell Energy Monitor.
Përveç ndarjeve buxhetore, Ministria theksoi edhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e financimit shtesë dhe zgjerimin e programeve të Fondit, të cilat përfshijnë familjet, ndërtesat shumëbanesore dhe institucionet publike.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë financon masa për përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave, përmes ndërhyrjeve në shtëpitë individuale, ndërtesat shumëbanesore dhe objektet publike.
Sipas Ministrisë, këto investime synojnë të ulin konsumin e energjisë dhe shpenzimet e familjeve për ngrohje dhe energji elektrike, si dhe të përmirësojnë kushtet e banimit. Ndërhyrjet në ndërtesa mundësojnë ruajtjen më të mirë të nxehtësisë gjatë dimrit dhe të freskisë gjatë verës, njofton Energy monitor.
Përtej përfitimeve për konsumatorët, ulja e konsumit të energjisë në ndërtesa mund të kontribuojë edhe në zvogëlimin e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik dhe në uljen e emetimeve që lidhen me përdorimin e energjisë.
Ministria e Ekonomisë tha se do të vazhdojë të mbështesë politikat dhe programet për përdorimin më efikas të energjisë, duke e lidhur këtë mbështetje me mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Megjithatë, në njoftimin për marrëveshjen nuk janë specifikuar programet konkrete që do të financohen me 1 milion eurot e reja, afati i transferimit të mjeteve apo numri i përfituesve që pritet të mbulohen përmes kësaj ndarjeje.



