Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) po vazhdon punën për zhvillimin e sistemit të Garancive të Origjinës (GoO), mekanizëm që mundëson certifikimin dhe gjurmimin e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme. Procesi po mbështetet nga programi i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim dhe Zhvillim (LuxDev).
Në një njoftim të publikuar nga ZRRE-ja, thuhet se asistenca teknike përfshin zhvillimin e kornizës rregullative, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përgatitjen për zbatimin e Sistemit Evropian të Certifikatave të Energjisë (EECS), si dhe bashkëpunimin me Asociacionin e Organeve Lëshuese (AIB).
Ky proces është pjesë e përpjekjeve për ta harmonizuar sistemin e Kosovës me standardet evropiane dhe për të krijuar një mekanizëm të besueshëm për dëshmimin e origjinës së energjisë elektrike. Garancitë e Origjinës janë certifikata elektronike që vërtetojnë se një sasi e caktuar e energjisë është prodhuar nga burime të ripërtëritshme. Secila certifikatë përfaqëson një megavat-orë energji elektrike dhe mund të transferohet e tregtohet veçmas nga energjia fizike, përcjell Energy Monitor.
Kosova e ka kaluar tashmë një nga fazat kryesore të këtij procesi. Më 26 nëntor 2025, në Asamblenë e Përgjithshme të AIB-së në Lisbonë, u miratua kërkesa e ZRRE-së për anëtarësim me të drejta të plota. Ky anëtarësim e vendosi Kosovën në kuadër të platformës evropiane për Garancitë e Origjinës dhe krijoi bazën institucionale për integrimin në sistemin EECS.
Një tjetër hap u ndërmor më 22 prill 2026, kur Bordi i ZRRE-së miratoi Rregullën për Garancitë e Origjinës. Dokumenti përcakton procedurat për lëshimin, transferimin dhe anulimin e certifikatave, regjistrimin e impianteve të prodhimit dhe hapjen e llogarive për pjesëmarrësit në sistem. Rregulla parasheh gjithashtu llogaritjen dhe publikimin e përzierjes së mbetur të energjisë elektrike (Residual Mix), e cila përdoret për të përcaktuar origjinën e energjisë që nuk mbulohet nga garancitë individuale.
Për funksionimin e këtij mekanizmi, ZRRE-ja vepron si organi përgjegjës për lëshimin e certifikatave dhe mirëmbajtjen e regjistrit elektronik. Operatorët e rrjetit kanë rol në sigurimin e të dhënave të verifikuara të matjes së prodhimit, mbi bazën e të cilave mund të lëshohen garancitë.
Për prodhuesit e energjisë nga era, dielli dhe uji, ky sistem mund të krijojë një burim shtesë të të ardhurave, pasi certifikatat mund të tregtohen veçmas nga energjia elektrike. Për kompanitë që konsumojnë energji, ato ofrojnë mundësinë për të dëshmuar se një pjesë ose e gjithë energjia e përdorur ka origjinë të ripërtëritshme.
Kjo ka rëndësi edhe për ndërmarrjet eksportuese të Kosovës, të cilat përballen me kërkesa gjithnjë e më të mëdha nga blerësit ndërkombëtarë për transparencë mbi origjinën e energjisë dhe ndikimin mjedisor të prodhimit. Garancitë mund të ndihmojnë në dokumentimin e përdorimit të energjisë së gjelbër, megjithëse ato nuk janë vetvetiu certifikata për emetimet e përgjithshme të produkteve dhe nuk e zëvendësojnë raportimin e karbonit.
Rëndësia ekonomike e këtij mekanizmi është vënë në pah edhe nga zhvillimet në rajon. Maqedonia e Veriut, për shembull, mbajti në fund të tetorit ankandin e parë për Garancitë e Origjinës, ku shiti 34 mijë nga 35 mijë certifikatat e ofruara për energjinë e prodhuar nga era, raporton Energy Monitor.
ZRRE-ja ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Ekonomisë, LuxDev dhe partnerët e tjerë për zhvillimin e sistemit. Megjithatë, përtej anëtarësimit në AIB dhe miratimit të rregullës, rëndësi do të ketë zbatimi praktik: regjistrimi i prodhuesve dhe impianteve, funksionimi i llogarive, lëshimi dhe transferimi i certifikatave, si dhe lidhja efektive me mekanizmat evropianë të shkëmbimit.
Funksionalizimi i plotë i sistemit do të përcaktojë nëse prodhuesit kosovarë do të mund ta shfrytëzojnë në praktikë vlerën ekonomike të energjisë së ripërtëritshme dhe nëse kompanitë do të kenë një instrument të besueshëm për të dëshmuar origjinën e energjisë që konsumojnë.



