Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) do të mbajë të enjten në Prishtinë ceremoninë e përmbylljes së dy skemave të granteve që synojnë mbështetjen e bizneseve në investimet për energji të pastër dhe zhvillimin e aftësive profesionale përmes arsimit dual.
Ngjarja organizohet nga MINTI, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ndërsa në të do të marrin pjesë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përcjell Energy Monitor.
Ceremonia do të mbahet më 5 nëntor, nga ora 14:30, në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Prishtinë.
Dy skemat që po përmbyllen janë Skema e Granteve për Energji të Pastër – Faza 2 dhe Skema e Granteve për Arsimin Dual. Të dyja janë financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut përmes programeve të bashkëpunimit zhvillimor të zbatuara nga LuxDev, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, përcjell Energy Monitor.
Skema për Energji të Pastër synon të ndihmojë ndërmarrjet në investimet që ulin konsumin dhe kostot e energjisë, përmes instalimit të sistemeve solare fotovoltaike, baterive për ruajtjen e energjisë, përmirësimit të efiçiencës së ndërtesave dhe modernizimit të pajisjeve në linjat e prodhimit.
Faza e dytë e skemës u hap në korrik të vitit 2026, pas zbatimit të fazës së parë, e cila ofroi mbështetje financiare deri në 20 mijë euro për një masë të vetme dhe deri në 25 mijë euro për kombinimin e dy masave. Programi synon të rrisë aftësinë e bizneseve për të investuar në teknologji më efikase dhe për të zvogëluar varësinë nga energjia e blerë nga rrjeti.
Skema e Granteve për Arsimin Dual, ndërkaq, synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet ndërmarrjeve dhe institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional. Përmes saj, bizneset dhe shkollat profesionale mund të krijojnë partneritete që u mundësojnë nxënësve të fitojnë përvojë praktike në vendet e punës, duke i përshtatur aftësitë e tyre me nevojat e tregut.
Sipas thirrjes së publikuar në prill të këtij viti, fondi i përgjithshëm i skemës për arsimin dual është një milion euro, ndërsa grantet mund të arrijnë deri në 100 mijë euro për projekt, me financim që mbulon 80 deri në 90 për qind të kostove të pranueshme.
Të dyja skemat janë pjesë e mbështetjes së Luksemburgut për zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin e gjelbër në Kosovë, duke ndërthurur investimet në teknologji dhe energji me zhvillimin e fuqisë punëtore dhe aftësive profesionale.
MINTI dhe KIESA nuk kanë bërë të ditur paraprakisht numrin e përfituesve apo vlerën e përgjithshme të granteve të ndara në kuadër të ceremonisë së përmbylljes.




