Është nënshkruar marrëveshja mes Ministrisë së Ekonomisë, Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrësive në Kosovë (KIESA) dhe agjencisë së Luksemburgut për bashkëpunim zhvillimor LuxDev për zbatimin e Skemës së Granteve për Energji të Pastër.
Ceremonia e nënshkrimit mblodhi ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, si dhe përfaqësues të LuxDev dhe Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas ministres Rizvanolli, kjo skemë synon t’u ofrojë bizneseve mbështetje konkrete për të ulur kostot e energjisë, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për t’u përgatitur për tregun e liberalizuar. Ndërsa ministrja Hajdari theksoi se përfitues do të jenë kryesisht ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat janë më të ekspozuara ndaj ndryshimeve që sjell liberalizimi i tregut të energjisë.
Ambasadori Dietz vuri në pah përkushtimin e Luksemburgut për tranzicionin energjetik të Kosovës, duke theksuar se buxheti prej një milion eurosh për energji të pastër do të ndihmojë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.
Skema parashikon mbështetje për projekte që lidhen me efiçiencën e energjisë, përfshirë izolimin e ndërtesave, instalimin e sistemeve solare fotovoltaike për prodhim të energjisë elektrike, sistemeve solare termike për ngrohje të ujit, baterive për ruajtje të energjisë, si dhe shndërruesve të frekuencës për rritjen e efiçiencës së pajisjeve ekzistuese.
Mbështetja financiare do të jetë deri në 20 mijë euro për një masë të vetme ose deri në 25 mijë euro për masa të kombinuara. Përveç financimit, programi do të ofrojë edhe asistencë teknike dhe ngritje kapacitetesh, për të garantuar që investimet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata.
Të gjitha detajet për aplikim, kriteret dhe afatet do të publikohen në faqet zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, KIESA-s dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.



