Home / Lajme / Kosova / Kurti: Parqet eko-industriale do të shtrihen në të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë veriun

Kurti: Parqet eko-industriale do të shtrihen në të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë veriun

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zhvillimi i parqeve eko-industriale në Kosovë synon të krijojë kushte për një industri më moderne, me shfrytëzim më efikas të burimeve, përdorim më të madh të energjisë së ripërtëritshme dhe ndikim më të vogël në mjedis. Sipas tij, këto parqe do të zhvillohen në të gjitha rajonet e vendit, përfshirë edhe dy në pjesën veriore të Kosovës.

Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Kurti tha se parqet eko-industriale janë pjesë e orientimit strategjik të Qeverisë drejt zhvillimit të një ekonomie qarkore dhe konkurruese.

“Parqet eko-industriale krijojnë mundësi për një industri më moderne, më efikase, me shfrytëzim më të mirë të burimeve dhe me ndikim më të vogël negativ në mjedis”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se zhvillimi industrial duhet të shoqërohet me rritjen e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme dhe me përgatitjen e bizneseve për kërkesat gjithnjë e më të larta të tregut evropian.

Sipas kryeministrit, projekti nuk do të kufizohet në një pjesë të caktuar të vendit, por do të përfshijë të gjitha rajonet e Kosovës, përcjell Energy Monitor.

“Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit tonë”, tha ai.

Kurti shtoi se pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri, vëmendja po zhvendoset gradualisht drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët që jetojnë atje.

Kryeministri i lidhi parqet eko-industriale edhe me synimin për të rritur prodhimin vendor dhe për të zvogëluar varësinë nga importi. Ai përmendi deficitin tregtar si një nga sfidat kryesore të ekonomisë, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth 7 miliardë eurosh, ndërsa eksportoi rreth 1 miliard euro.

Në këtë kontekst, Kurti tha se parqet industriale duhet t’u ofrojnë bizneseve hapësirën dhe infrastrukturën e nevojshme për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Ai përmendi gjithashtu planin prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri, të hartuar në bashkëpunim me sektorin privat, i cili synon të lehtësojë financimin e investimeve në kapacitete të reja prodhuese.

Sipas Kurtit, kombinimi i infrastrukturës industriale, investimeve dhe shfrytëzimit më efikas të burimeve mund të krijojë kushte për një industri më konkurruese dhe më të përshtatur me kërkesat e tregut evropian.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com