Home / Lajme / Mjedisi / Kosova nënshkruan marrëveshje me Bankën Botërore për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale

Kosova nënshkruan marrëveshje me Bankën Botërore për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale

Kosova synon të zhvillojë parqe industriale në të gjitha rajonet e vendit, duke synuar rritjen e prodhimit vendor, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Për këtë qëllim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e eko-parqeve industriale, me theks në shfrytëzimin më efikas të energjisë, ujit dhe burimeve të tjera natyrore.

Kryeministri Albin Kurti tha se zhvillimi i këtyre parqeve është një prej instrumenteve për të zvogëluar deficitin tregtar të Kosovës, duke krijuar kushte që një pjesë e produkteve që aktualisht importohen të prodhohen brenda vendit.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Kurti, gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportet arritën në vetëm rreth një miliard euro, përcjell Energy Monitor.

Ai tha se synimi është që parqet industriale të shtrihen në të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë edhe dy parqe në veri të vendit, duke e lidhur këtë zhvillim me krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve ekonomike.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se marrëveshja paraqet një hap drejt zbatimit të standardeve ndërkombëtare për eko-zonat industriale. Sipas saj, modeli synon që zhvillimi industrial të mos matet vetëm për nga vëllimi i prodhimit, por edhe për nga efikasiteti i përdorimit të burimeve dhe ndikimi në mjedis e shoqëri.

Kusari-Lila iu referua një raporti të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), i cili identifikon prodhimin e komponentëve të ndërtimit si një sektor me potencial të veçantë për ekonominë e Kosovës. Në këtë kategori përfshihen përpunimi i metaleve, prodhimi i dyerve dhe dritareve, mobilieve, materialeve izoluese dhe sistemeve të ngrohjes.

Sipas saj, eko-zonat industriale mund të shërbejnë si instrument për mobilizimin e investimeve private dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese vendore, përcjell Energy Monitor.

Menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se koncepti i eko-parqeve synon të ndihmojë bizneset të tejkalojnë disa prej barrierave që lidhen me përdorimin e burimeve natyrore, përfshirë energjinë dhe ujin, si dhe menaxhimin e mbeturinave.

Ajo vlerësoi se përmes një menaxhimi më efikas të këtyre burimeve, ndërmarrjet mund të përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe të përmbushin më lehtë kërkesat e tregjeve ndërkombëtare, veçanërisht të Bashkimit Evropian. Sipas saj, parqet mund të ndihmojnë jo vetëm në zëvendësimin e importeve, por edhe në rritjen e eksporteve dhe promovimin e produkteve me prejardhje nga Kosova.

Mbështetjen për këtë model e shprehu edhe Bashkimi Evropian. Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, tha se parqet industriale mund të kontribuojnë në zhvillimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese, duke theksuar se koncepti i eko-zonave po promovohet edhe në nivel të BE-së.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com