Akuo Energy nga Franca ka paraqitur ofertën financiare më të ulët në ankandin e parë konkurrues për energjinë e erës në Kosovë, me çmim prej 75.94 eurosh për megavat-orë (MWh). Konsorciumi i përbërë nga NOTUS energy GmbH dhe Stubllaenergy ka ofruar çmimin prej 78.89 eurosh për MWh, përcjell Energy Monitor.
Ofertat financiare të dy ofertuesve të kualifikuar u hapën të hënën në një ceremoni publike të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, në kuadër të ankandit për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së erës, me madhësi të synuar prej 50 deri në 100 megavat (MW).
Megjithatë, shpallja e çmimeve nuk nënkupton edhe përfundimin e procesit të përzgjedhjes së fituesit. Komisioni vlerësues do t’i shqyrtojë ofertat financiare dhe do të përcaktojë renditjen përfundimtare në përputhje me kërkesat e dosjes së ankandit, raporton Energy Monitor.
Kryesuesja e Komisionit vlerësues, Arbëresha Isufi, sqaroi se çmimet e publikuara gjatë ceremonisë janë ato të paraqitura në formularët përkatës të ofertave financiare dhe se komisioni ende duhet të përfundojë shqyrtimin.
“Komisioni vlerësues do t’i shqyrtojë ofertat financiare dhe do të përcaktojë renditjen në përputhje me kërkesat e Kërkesës për Propozime (KPP). Informatat e shpallura sot do të regjistrohen në procesverbalin zyrtar të ceremonisë, ndërsa kopjet e tij do të jenë në dispozicion në dhomën e të dhënave të projektit, në pajtim me KPP-në”, deklaroi Isufi.
Në garën për këtë ankand fillimisht ishin parakualifikuar tri kompani ose konsorciume: Akuo Energy nga Franca, NOTUS energy nga Gjermania në partneritet me Stubllaenergy nga Kosova, si dhe GÜRİŞ nga Turqia. Ky i fundit nuk ka kaluar në fazën e hapjes së ofertave financiare.
Ministrja Rizvanolli tha se kapacitetet që do të përzgjidhen përmes këtij ankandi do t’i shtohen prodhimit vendor të energjisë elektrike. Ajo përmendi edhe 70 MW të Parkut të Erës në Zatriq, të cilat i janë shtuar kapaciteteve prodhuese të Kosovës rishtazi, përcjell Energy Monitor.
Sipas saj, gjatë javëve ose muajve të ardhshëm pritet të hapet edhe një ankand i ri për energjinë e erës, me kapacitet deri në 200 MW. Së bashku me ankandin aktual, objektivi i Ministrisë së Ekonomisë është zhvillimi i deri në 300 MW kapacitete të reja të energjisë nga era.
Rizvanolli theksoi se prodhimi nga era ka rëndësi të veçantë për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, pasi përputhet më mirë me periudhat e konsumit të lartë, veçanërisht gjatë muajve të dimrit dhe në orët e mbrëmjes.



